Rreth 50 policë të EULEX-it brenda zyrave të OVL-së së UÇK-së, Policia e Kosovës qëndron jashtë

 Rreth 50 policë të EULEX-it janë duke kryer bastisjen brenda zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe policë të Kosovës, por ata po e përcjellin ngjarjen nga jashtë.

Hetuesi që kishte qenë herët tjera për të marrë dosjet e shumëpërfolura është brenda në objekt po ashtu.

Në zyra kanë hyrë zyrtarë të tjerë me disa pako.

Image

Nga zyrtarë të OVL-së, brenda është vetëm kryetari i saj Hysni Gucati.

Avokati Tomë Gashi, që gjendet ende në korridor, në një bisedë telefonike për KOHËN ka thënë se kryetari Gucati është në zyrë dhe nuk po pranon të deklarohet pa avokatin. Ai ka shtuar se pret që për 10 minuta të futet brenda.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se EULEX-i nuk ka nxjerrë asnjë dokument për bastisje në zyrat e kësaj organizate të premten.

Ai ka thënë se pa paraqitjen e asnjë dokumenti, bastisja ngjan në veprimet e Jugosllavisë. Ka shtuar se “siç kemi kundërshtuar Jugosllavinë dhe do të detyrohemi të luftojmë edhe me juve sikur kundër Jugosllavisë”.

“Isha në zyrë duke pi kafe, dhe këta zotërinjtë nuk prezantojnë asnjë letër dhe ju thash edhe Jugosllavia ka bërë kështu dhe jemi detyruar t’u përgjigjemi. Nëse shteti jonë s’merr masa, këta do të na detyrojnë të luftojmë edhe sikur kundër Jugosllavisë. As s’kanë dokumente, as letra, as përkthyes. Shteti ynë i ka fajet. Është bastisje, s’ka arrestime”, ka thënë ai duke i quajtur kriminelë zyrtarët e EULEX-it.

Xhavit Jashari nga OVL-UÇK ka thënë se nuk do të lejojnë veprime të tilla pa paralajmërim.

“Ne nuk do të lejojmë që të vijnë pa asnjë urdhëresë dhe pa paralajmërim. Mund të jenë edhe kriminel të Serbisë. Janë të maskuar, flasin gjuhë të ndryshme, një pjesë flasin sllavisht. Ne nuk do të lejojmë gjëra të tilla. Lirinë e kemi fituar me luftë dhe gjak dhe nuk lejojmë të na marrin”, ka thënë ai.

Në afërsi janë parë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

© KOHA.