Rreth shtatë minuta grindje ndërmjet Jamal Khashoggit dhe sauditëve: Mediat turke publikojnë detajet e tmerrshme të “kasetës”

Një faqe turke interneti e lajmeve ka botuar citime dhe identitetin e disa folësve në dy regjistrime audio, duke zbuluar momentet e fundit të gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi.

Duke përmendur burimet turke të sigurisë, kolumnisti i Habertürk, Çetiner Çetin, njoftoi më 19 nëntor se regjistrimi i parë tregon se Khashoggi u kap nga një skuadër saudite, menjëherë pasi hyri në konsullatën e Mbretërisë në Stamboll, më 2 tetor në orën 14:14.

“Lëshoje krahun tim! Çfarë mendoni se po bëni?”, Khashoggi është dëgjuar duke thënë në regjistrimin e parë nga “njësia A” e konsullatës, e cila strehon departamentin e vizave.

Sipas raportit, përcjell Telegrafi, grindja ndërmjet Khashoggit dhe katër anëtarëve të skuadrës mund të dëgjohet në këtë regjistrim për shtatë minuta.

Katër sauditë pastaj e kanë sjellë Khashoggin në “njësinë B” të konsullatës, e cila strehon departamente administrative.

Regjistrimi prej katër minutash nga ky seksion përfshin jo vetëm grindjen verbale, por edhe zhurmën e një lufte fizike dhe më pas rrahjen dhe torturimin.

Mutreb e thërret Qahtanin 19 herë

Përveç katër burrave, tre të tjerë mund të dëgjohen në regjistrim, përveç Khashoggit.

Sipas raportit, burimet turke të sigurisë konkluduan se njëri prej tyre është Maher Abdulaziz Mutreb, udhëheqësi i dyshuar i ekipit që kishte udhëtuar disa herë me princin e kurorës Mohammed bin Salman. Personi tjetër është konsulli saudit Mohammad al-Otaibi, ndërsa identiteti i personit të tretë ende nuk është përcaktuar.

“Tradhtar! Ju do të jepni llogari!”, është dëgjuar Mutreb duke thënë në regjistrimin e dytë sapo Khashoggi u mor në njësinë B të konsullatës, shtoi raporti.

Zyrtarët turq thuhet se kanë arritur në përfundimin se ky zë ishte i Mutreb, duke e përshtatur atë me mostrën e tij të zërit të regjistruar nga policia doganore turke gjatë hyrjes së tij në vend, nga Aeroporti Ataturk i Stambollit, pak orë para vrasjes.

Po sipas mediave, përcjell Telegrafi, i njëjti zë mund të dëgjohet edhe në 19 thirrje telefonike nga njësia C e konsullatës, e cila strehon zyrën e konsullit.

Dhe siç thuhet tutje, thirrjet telefonike, e para e bërë vetëm 13 minuta pasi Khashoggi hyri në konsullatë, ishte midis Mutreb dhe Saud al-Qahtani, i cili ishte ndihmësi më i lartë i princit të kurorës.

Ndërsa, po sipas tyre, tingujt e rrahjeve dhe torturës që vazhduan për 11 minuta u pasuan nga një heshtje prej një orë e 15 minutash.

Tre zyrtarë sauditë pastaj mund të dëgjohen duke zbritur poshtë shkallëve shpejt me njërin prej tyre duke mbyllë derën e njësisë A dhe tjetri duke fshirë pamjet e kamerave të sigurisë, përpara se të hiqnin harddisqet.

Një zë tjetër pastaj thyen heshtjen në regjistrime.

“Është drithëruese të veshësh rrobat e një njeriu të cilin e vramë 20 minuta më parë”, thotë inxhinieri 57-vjeçar saudit Mustafa al-Modaini duke thënë se po përgatitet të veprojë si “kopje” e Khashoggit nën udhëzimet e skuadrës saudite.

Pasi ai ankohet se këpucët e Khashoggit ishin shumë të vogla për këmbët e tij, skuadra dëgjohet duke lejuar al-Modainin të mbajë atletet e tij.

Duke veshur rrobat e Khashoggi, al-Modaini u pa në xhirimet e kamerave të sigurisë në një pjesë turistike të Stambollit, menjëherë pas vrasjes, në një përpjekje për të mashtruar policinë.

E mediat turke thonë se atletet e tij ishin një nga faktorët që zbuluan komplotin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme