Rriten dukshëm shpenzimet e luksit

Gjatë muajit tetor të këtij viti vetëm Qeveria Qendrore për mallra dhe për shërbime ka shpenzuar 15.8 milionë euro nga 10.3 milionë euro sa ishin shpenzuar gjatë muajit tetor të vitit që lamë pas. Shpenzimet në këtë kategori buxhetore i ka rritur edhe qeverisja lokale, ku për këtë qëllim ajo gjatë muajit tetor ka shpenzuar 5.1 milionë euro nga 3.6 milionë euro sa i kishte shpenzuar gjatë muajit të njëjtë të vitit paraprak, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Shpenzimet e institucioneve qendrore, por edhe të atyre lokale gjatë muajit tetor të këtij viti janë rritur dukshëm në raport me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se gjatë muajit tetor të këtij viti shpenzimet totale mujore të Qeverisë Qendrore kanë arritur në 129 milionë e 515 mijë euro derisa në tetor të vitit që lamë pas ato ishin 92 milionë e 692 mijë euro.

Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë shihet qartë se shpenzimet gjatë tetorit të këtij viti janë 36.8 milionë euro më shumë sesa shpenzimet gjatë tetorit të vitit paraprak. Nga kjo shumë gjatë muajit tetor të këtij viti për paga janë shpenzuar 27.4 milionë euro derisa në tetor të vitit që lamë pas për këtë qëllim janë shpenzuar 25 milionë euro.

Po ashtu për mallra dhe shërbime gjatë muajit tetor të këtij viti sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shihet se janë shpenzuar 15.8 milionë euro e derisa në tetor të vitit paraprak për këtë qëllim u shpenzuan 10.3 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të MF-së shihet se në kategorinë buxhetore të identifikuar në raporti si “Subvencione e transferime” gjatë muajit tetor të këtij viti janë shpenzuar 41.6 milionë euro, nga 31.3 milionë euro sa ishin shpenzuar në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Lini Një Koment