Rrjedh inçizimi nga paneli në Munih: Kurti goditi Ramën, Thaçin, Vuçiqin për minishengenin dhe ndryshimin e kufijve

 

Dikush ka arritur ta incizojë fjalën e Albin Kurtit në panelin e mbajtur në Mynich sipas rregullave Chatam House Rule, ku pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë të nxjerrin ato që fliten ne tryezë. Para zyrtarëve europianë amerikanë dhe Presidentëve Thaci e Vuçiq, gjithashtu edhe para kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, Kurti ka goditur idenë e Minishengenit duke kërkuar një ‘Minimarshall Plan’ për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka thënë se Presidentët duhet të rrinë larg hartave duke i kritikuar kështu direkt Thaçin e Vuçiqin si dhe Kryeministrin Rama për çështjen e kufijve. Kurti nxiti reagimin  e Vuçiq kur tha se bota duhet ta ndihmojë Serbinë të lirohet nga Kosova. Vuçiq tha se ka reaguar ashpër por inçizimi tregon se ai as nuk arritur të marrë fjalën për t’iu përgjigjur Kryeminisrit të Kosovës. “Unë besoj se të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkangjiten Bashkimit Evropian së bashku. Unë nuk besoj se ekziston ndonjë mundësi tjetër”, është shprehur Kurti.“Nëse një apo dy shtete hyjnë para tjerave në BE, do të ketë edhe më shumë probleme. Njëjtë si në vitin 2004 kur dhjetë shtete hynë në BE në të njëjtën kohë. Ne duhet të punojmë që të gjitha së bashku të hyjmë në BE. Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall” që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall’ Plan për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri principe për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në regjionin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai tutje ka thënë se pas 20 vjetësh ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”, ka thënë Kurti.

 

 

Artikull i sponsoruar

Lini Një Koment