Rrugëtimi i Masvidalit nga fjetja në palestër deri në skenën e madhe të UFC-së

Jorge Masvidal do ta kompletojë rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm nga fjetja në dysheme të palestrës e deri te një superyll botëror, kur të shtunën do të përballet me Nate Diazin në meçin e jetës së tij në UFC.

I adhuruari i tifozëve është rritur në varfëri në Miami nga nëna e tij peruane, ndërsa babai i tij kuban kaloi dy dekada në burg për vrasje dhe trafikim të drogës.

Legjenda e luftërave të rrugës dikur ishte i bankrotuar dhe flinte nën ring në palestrën ku stërviste, para se të debutonte në këtë sport në vitin 2003.

Duke përkushtuar jetën e tij te luftimi, luftëtari nuk kishte kohë për të gjetur një punë.

Ai kaloi kohën e tij në palestër dhe siguronte pagesa të vogla nga luftërat në rrugë dhe po ashtu në garat e Arteve Marciale të Përziera (MMA) në Florida, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.

Trajneri i Masvidalit te Top Team, Mike Brown, ka treguar se si 34-vjeçari ka luftuar për një jetë më të mirë.

“Ai është shumë i vërtetë. Është një njeri që në parim ka luftuar për çdo gjë që ka, pasi ka ardhur nga një e kaluar modeste. Ai erdhi nga një familje që nuk kishte shumë para dhe kur nis në MMA nuk ka para, siç e dini”, ka thënë Brown. “Veçanërisht në atë kohë kishte shumë më pak para se tash dhe thjesht luftoje për dashuri për sportin. E nëse dëshiron të jesh i mirë, atëherë nuk ke kohë të punosh 40 orë në javë. Kështu që nuk je duke bërë para, nuk ke para fare. Ai kalonte gjithë kohën në palestër duke punuar dhe duke rrezikuar shumë. Në fakt je duke hedhur zaret kur vepron si ai, por ai ia doli. Dhe jo të gjithë rrezikojnë ashtu, është vërtet e vështirë. Por, ai rrezikoi çdo gjë dhe goditi xhekpotin. Ai luftoi për të siguruar një jetë më të mirë dhe ia doli”.

Masvidal, që ka dy vajza dhe një djalë me ish-të dashurën, i ka thënë ESPN-it se nuk ka rëndësi se ku ka fjetur, por me rëndësi ishte të arrinte te “zona e sigurt” në palestër.
“Unë kam fjetur nëpër vetura, në parkingje, në palestër nën ring. Nuk lejova asgjë që të më ndalte nga një moshë e re, nuk shqetësohesha nëse kisha shtëpi, pajisje apo jo, thjesht me rëndësi ishte të isha në palestër, pasi ishte zona ime e sigurt. Nuk kishte rëndësi ku flija apo çfarë bëja, me rëndësi ishte të arrija në palestër. Kur isha atje, isha si fëmijë plot entuziazëm”, thotë 34-vjeçari.

Lini Një Koment