Rugova: Istogasit s’e pranojnë konceptin që po tentohet të instalohet

Sot është dita e fundit e fushatës parazgjedhore për rivotimin në Istog.

Kandidati i LDK-së për këtë komunë, Haki Rugova, ka thënë se shkuarja për herë të tretë në votime në Istog nuk është e drejtë.

“Padrejtësisht po shkojmë të tretën herë në zgjedhje, për shkak të atyre proceseve që ndodhën me votat me postë, të kontrabanduara dhe tash jemi para zgjedhjeve”.

“E kam thënë shumë herë, por edhe qytetarët e panë se çfarë ndodhi, është padrejtësisht por edhe qytetarët dhe votuesit e kanë kuptuar një gjë të tillë, u zhvesh ajo formë e degjenerimit të një procesi zgjedhor që nuk e kam pritur se do të ndodhë në Istog”.

Rugova në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ka parë një sfidë të madhe faktin se istogasit do të duhet për herë të tretë t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur liderin e tyre.

“Të them të drejtën, kam pasur dilemat e mia, apo kam parë që jam para një sfide të caktuar, por me tubimet dhe kontaktet po e shoh qartë se qytetarët janë mjaft të mobilizuar dhe shumë të gatshëm të dalin në zgjedhje, po e shoh në tubimet masive, edhe në grupe më të vogla”.

“Kam përshtypje që qytetarët janë të inatosur, jo vetëm votuesit e LDK-së por edhe të taboreve kundërshtare, istogasit nuk e pranojnë një koncept të tillë qeverisës çfarë tentohet të instalohet ne Istog”.

“Ky është motive kryesor, nuk është më në pyetje Haki Rugova por vlerat e LDK-së dhe ato rugoviste që dikush po mundohet t’i përvetësojë”.

Kandidati i LDK-së për Istogun ka folur edhe për mbështetjen e mundshme të familjes së Ibrahim Rugovës ndaj kundër kandidatit të tij.

“E shoh një lojë perfide, me tendenca jo të mira, jo pozitive, njerëzit e kanë kuptuar, një kombinim të tillë, Ibrahim Rugova, Ramush Haradinaj dhe Gani Dreshaj është një kombinim pa pikë sharmi, ideje dhe vizioni”.

“Është çështje e familjes së ngushtë të Ibrahim Rugovës, Ibrahim Rugova nuk është më, por shpirti i tij është këtu”.

“Ju po e shihni edhe vetë, LDK-në, deputetët tanë janë çdo ditë këtu, jo vetëm në përkrahjen time personale por këtyre vlerave që do t’i qëndrojmë deri në fund”.

Rugova është shprehur i bindur se do t’i fitojë zgjedhjet në Istog, madje sipas tij, do t’i fitojë më fuqishëm se në dy raundet paraprake.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme