Rumunët refuzojnë reformat dhe zbutjen e ligjeve kundër korrupsionit

Shumica e qytetarëve rumunë kanë votuar kundër ndryshimeve të propozuara në sistemin e drejtësisë. Këto masa ishin vlerësuar si përpjekje për ta bërë më të vështirë luftën kundër korrupsionit të lartë.

Ky votim u bë në të njëjtën ditë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ky ishte testi i parë për ndryshimet në sistemin e drejtësisë dhe legjislacionin kundër korrupsionit, të cilat u propozuan nga socialdemokratët që aktualisht janë në pushtet.

Pas numërimit të 75 për qind të votave, më shumë se 80 për qind e votuesve e përkrahën heqjen e amnistisë dhe mundësinë e faljes së personave të dyshuar ose të dënuar për korrupsion. Përpos kësaj, ata e kundërshtuan ndryshimin e ligjit kundër korrupsionit, krimit, dënimeve dhe të drejtën për ankesë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese.

Niveli i pjesëmarrjes në këtë referendum ishte 41 për qind, ndërsa shkalla minimale për ta shpallur të vlefshëm këtë votim ishte pjesëmarrja e 30 për qind të votuesve me të drejtë vote.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, i cili e shpalli referendumin, tha se rumunët kanë dalë kundër përpjekjeve të partisë në pushtet për t’i kthyer prapa reformat kundër korrupsionit në një nga shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se drejtësia është interes kombëtar dhe se populli ka të drejtë të vendosë nëse dëshirojnë që korrupsioni të bëhet pjesë e politikës shtetërore. Mijëra rumunë kishin protestuar në shkurt pasi qeveria majtiste e kishte miratuar pa debat publik një masë emergjente, për të cilën kritikët kishin thënë se ua kufizon pavarësinë prokurorëve, shkruan “Free Europe”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme