Rusia ka konfirmuar mbështetjen ndaj Serbisë në përpjekjet për zgjidhje me Kosovën.
Rusia do ta mbështesë çdo zgjidhje në lidhje me Kosovën e cila ka pajtimin e popullit serb dhe është në përputhje me kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara.
Ky është përfundimi i dalë nga takimi i Ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë, Nenad Popoviq dhe presidentit të Këshillit për politikë të jashtme në Rusi, Konstantin Kosaçov.
Popoviq i ka shfaqur mirënjohje Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në mbështetjen e vazhdueshme të tij për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, shkruan “B92”, transmeton lajmi.net.
“I falënderohemi Rusisë për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe qëndrimit të mbështetjes vetëm për zgjidhjet që Kosova të jetë në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë dhe Rezolutës 1244”, deklaroi Popoviq i cili shtoi se “vetëm një zgjidhje e tillë garanton ruajtjen e paqes dhe të ardhme ekonomike për serbët dhe shqiptarët në Kosovë”.
Kosaçov po ashtu ka theksuar se populli serb në Kosovë mund të mbështetet tek përkrahja e Rusisë.
“I porosis serbët në Kosovë se Rusia është me popullin serb dhe me Serbinë”, deklaroi ai, transmeton lajmi.net.
Popoviq dhe Kosaçov kanë biseduar edhe për format e ndihmës ekonomike për komunitetin serb në Kosovë si dhe për kthimin e serbëve në Kosovë.