Samir Ujkani: Ndeshje historike për ne, do të fitojmë pa dyshim

Portieri dhe kapiteni i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Samir Ujkani ka thënë se mezi pret që të luajë në ndeshjen e parë historike kualifikuese për Kosovën.

Ai nuk dyshon se Kosova do të fitojë, përcjell Express.

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur seancën e dytë stërvitore sot pasdite.

Në këtë seancë është zhvilluar një ndeshje e ndarë në dyshe, duke aplikuar lojën e rivalit dhe kundërvënies së taktikës së tij në bazë të analizës së lojës së finlandezëve.

“Mezi po presim që ta zhvillojmë këtë lojë që për ne është historike. Këtë ndeshje dhe fitoren që unë nuk e vë në dyshim do të ua kushtojmë brezave të tërë që u sakrifikuan për këtë ditë. Atyre që ndihmuan dhe dhanë për futbollin e Kosovës dhe nuk e lanë të shuhet por mbajtën gjallë shpresën për këtë ditë,” ka thënë ai.