Sebastian Kurz: Kodi telefonik për Kosovën një moment historik

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, e ka cilësuar moment historik për Kosovën vendimin e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioni (ITU) për t’i dhënë edhe zyrtarisht Kosovës Kodin ndërkombëtar telefonik +383, njofton agjencia austriake e lajmeve APA, transmeton RTK.

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, në reagimin e tij ka theksuar rëndësinë dhe interesin e kësaj marrëveshje edhe për minoritetin serb në Kosovë.

Pas urimit për qytetarët e Kosovës, ai ka kujtuar se Austria që më 1 janar 2016, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e Telekomit, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Brueksel, kishte bërë kërkesën për Kodin telefonik ndërkombëtar treshifror për Kosovën. “Përmes kësaj, të gjithë banorëve të Kosovës do tu mundësohen telefonata më të lira dhe më të thjeshta” citohet të ketë thënë Kurz.

Ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz, në reagimin e tij ka theksuar rëndësinë dhe interesin e kësaj marrëveshje edhe për minoritetin serb në Kosovë, pasi pjesë e marrëveshjes sipas Kurz, është edhe themelimi i një operatori të ri telefonik, pjesë e Telekomit serb, por që do të operojë në Kosovë sipas ligjeve të vendit dhe që do të marrë licencën nga autoriteti rregullativ i telefonisë mobile në Kosovë. Kurz ka nënvizuar se dialogu që po zhvillohet mes palëve nuk është vetëm në interes të aspiratave integruese të të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian, por edhe në funksion të lehtësimit të jetës për të gjithë banorët në Kosovë, transmeton rtklive.

„U bëj thirrje të dyja palëve që të tregojnë vendosmëri për jetësimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel e që ende nuk janë zbatuar në praktikë”. Në këtë kontekst ai ka aluduar veçmas për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për energjinë, thuhet në njoftimin që transmeton agjencia austriake të lajmeve APA.