Sejdiu: Mustafa s’është i interesuar të punojë për vendin e qytetarët

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se askush nga partitë politike opozitare, nuk është kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e aq më pak kundër procesit të liberalizimet të vizave, por sipas tyre, opozita është kundër faljes së 8,200 hektarëve të tokë.

Dardan Sejdiu, nënkryetar në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se profesorë të së drejtës ndërkombëtare, gjeografë e shumë ekspertë i kanë dhënë fakte, se procesi i demarkacionit që është tani, është i gabuar dhe në dëm të Kosovës.

“Ne nuk jemi kundër demarkacionit, por ky demarkacion duhet të bëhet siç duhet, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare në përputhje me interesat e Kosovës dhe në përputhje me interesat tona të përgjithshme për të pasur fqinjësi të mirë me Malin e Zi. Nëse e bëjmë demarkacionin me këso gabime, po krijojmë telashe për të ardhmen. Sa i takon liberalizmit të vizave, kryeministri duhet ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë që nuk e bën”, është shprehur Sejdiu duke shtuar se kryeministri me deklaratat e tij, si ato të fundit, është duke i ofenduar qytetarët.

Sipas Sejdiut, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk është i interesuar që të punojë për vendin e qytetarët. Kryeministri, ka thënë Sejdiu, është i interesuar që të bëjë propagandë e etiketime.

“Prej ardhjes së tij në pushtet, në 23 herë e kemi thyer Kushtetutën, me marrëveshjen për ‘Zajednicën’, kemi falur 8,200 hektarë tokë. Dje e kemi dënimin prej 5 milionë eurosh për skandalin e pasaportave në Ministrinë që e udhëheq Skënder Hyseni. Ky kryeministër e ka kohën që të dorëhiqet, sepse për çdo ditë më shumë e qëndrimit të tij në pushtet, Kosova humb edhe territor, edhe miq, edhe buxhet”, ka theksuar Sejdiu.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, së shpejti pritet të marrë një përgjigje definitive nga Kuvendi i Kosovës. Opsionet janë ratifikimi apo anulimi i saj.

Pas shumë deklaratave për dhe kundër, të shprehura kryesisht nëpër media, më 3 gusht, pritet që për herë të parë të ketë një ballafaqim të fakteve dhe argumenteve ndërmjet mbështetësve të Marrëveshjes aktuale, që është nënshkruar me autoritetet e Malit të Zi që nga fundi i gushtit të vitit të kaluar në Vjenë dhe atyre që e kundërshtojnë atë.

Debati në formë tryeze është thirrur nga Kryesia e Kuvendit, ku janë ftuar edhe ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo tryezë nuk ka karakter vendimmarrës, por llogaritet se do t’i paraprijë seancës vendimmarrëse në Kuvend.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme