Serbët e veriut e ndalin ujin e Gazivodës për shqiptarët

Ka tri ditë që uji për ujitje, i cili rrjedhë nga liqeni i Gazivodës në Leposavic për në komunën e Mitrovicës, Vushtrrisë e Prishtinën është ndërprerë nga serbët e veriut duke lënë fermerët pa ujë në kohën kur më së shumti iu duhet.

Drejtori i Ibër Lepencit për rajonin e Mitrovicës ,Haki Jonuzi, ka konfirmuar se uji është ndërprerë në pikën e furnizimit ndërsa u është thënë se atë e kanë ndalë serbët.

Ai  ka thënë se për këtë i kanë informuar organet kompetente ndërsa ende nuk është ndërmarrë asgjë.

“Drejtoria dhe Qeveria duhet të intervenojnë këtë rast, ne i kemi lajmëruar menjëherë”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas tij dyshohet se përgjegjësi serb i pikës së furnizimit të pjesës jugore me ujë i ka vënë drynin mekanizmit që lëshon ujin dhe ka ikur në Beograd.

“Drejtoria në Prishtinë na ka kthye përgjigje që kanë biseduar me zyrtarë serbë por ata e lëshojnë ujin ku te duan dhe e ndalin kur të duan. Po ashtu thuhet se zyrtari serb gjendet në Beograd dhe i ka vënë drynin pjesës ku lëshohet uji”, ka thënë ai.

I pari i Ibër Lepencit për rajonin e Mitrovicës ka thënë se me probleme të tilla janë ballafaqua edhe vitin e kaluar ndërsa kjo po shkakton edhe në problemet me ujë të pijshëm.

“Tërë vitin e  kaluar kemi pas probleme të ngjashme, nuk ka pas sasi të mjaftueshme të ujit sidomos Komorani dhe Shkabaj nuk ka pas sasi të mjaftueshme. Për këtë edhe Ujësjellësi i Prishtinës dje ka pas mungesë të ujit është deshtë të ndalohet ujitja në mënyrë që të ketë sasi të mjaftueshme të ujit për pije”, ka përfunduar ai.

Edhe kultivuesi i patateve në fshatin Doberllug të komunës së Vushtrrisë, Shukri Xhaferi ka thënë se është dita e katërt që kanë probleme me ujë ndërsa edhe në këtë komunë u është thënë se shkaktarë janë serbët.

“Është e katërta ditë që nuk kemi ujë për ujitjen e tokave bujqësore, kemi kontaktuar vazhdimisht me drejtorin e Ibër Lepencit në Vushtrri ndërsa na ka thënë se duhet të ndërprehet uji rrepsisht. Sipas tyre arsyeja e ndaljes së ujit janë serbët,që e kanë ndalë në liqenin e Gazivodës’’, ka thënë ai.

Xhaferi ka shtuar gjithashtu se nëse gjatë kësaj javë nuk lëshohet uji ose bie shi e gjithë sipërfaqja bujqësore do të shkatërrohet.

‘Nëse nuk bie shi këtë javë, e gjithë toka bujqësore do të dëmtohet, toka e mbjellur përshinë  mijëra hektarë. Bujqësia është  e vetmja formë prej të cilës ne marrim të ardhura’, ka thënë Xhaferi /GazetaFokus/

Lini Një Koment