Serbia zemërohet me Britaninë për Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se është e pandershme nëse Londra zyrtare nuk dëshiron që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të diskutojë për situatën në Kosovë.

Gazeta serbe “Novosti”, raportoi duke iu referuar burimeve të veta diplomatike se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshi më çështjen e Kosovës në listën e temave të diskutimit gjatë kryesimit të saj në të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila fillon në gusht.

“E konsideroj si diçka jo serioze… Sidomos nga një vend që është nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo kujtoi Samitin e Kryeministrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit që u mbajt në Londër gjatë muajit korrik.

“Nuk mund ta kuptoj se dikush nga njëra anë dëshiron të organizojë takime nga ana tjetër nuk dëshiron të vendosë agjendën për Kosovën. Kjo nuk mund të jetë e dyanshme, është politikisht e pavlerë dhe e pandershme”, ka deklaruar kryeministrja serbe.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq

Ai ka thënë se sipas tij është e qartë që “Londrës nuk i interesojnë qëndrimet e Serbisë”.

“Ky është një mesazh i qartë për ne”, citohet të ketë thënë më tutje Daçiq.

Britania e Madhe e cila që nga nesër merr kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të tentojë t’i ndërpresë seancat e rregullta të këtij Këshilli për Kosovën, të cilat mbahen çdo tre muaj, transmeton lajmi.net.

“Londra nuk është e interesuar që të mbajë mbledhje ku do të diskutohet për çështjen e Kosovës, ngase ata besojnë se situata atje është e mirë, dhe nuk është e nevojshme mbajtja e seancave të veçanta lidhur me këtë çështje”, i kanë thënë burimet diplomatike Novostit.

Vlen të theksohet se nëse ndodh një gjë e tillë, do të ishte hera e parë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk diskuton për Kosovën në intervale prej çdo tre muajsh.

 

Lini Një Koment