Shabani dhe Muslija te Kosova? Përgjigjet numri një i FFK-së

Pas Florent Hadërgjonajt, FFK-ja do të nisë punën për t’i afruar te Kosova Meritan Shabanin e Bayern Munich dhe Florent Muslijan e Hannover 96.

Në një intervistë në emisionin “Arena Sportive” në RTK, numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për ardhjet e mundshme të Meritan Shabani dhe Florent Muslija.

I pyetur për futbollistët në fjalë, Ademi u përgjigj: “Shabani e Muslija janë të mirëseardhur, ata janë talentë të jashtëzakonshëm. I presim duar hapur. Futbollistët që i përmende (Shabani & Muslija) kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe natyrisht do të kisha dëshirë që një ditë t’i shoh me fanellën e Kosovës”.

Ademi tha se ka shumë futbollistë nëpër botë që janë duke i monitoruar: “Aktualisht i kemi 187 futbollistë potencial për ekipet kombëtare, për të gjitha grupmoshat”.

Meritan Shabani është 20-vjeçar dhe luan në rrolin e mesfushorit sulmues. Ai ka bërë vetëm 2 paraqitje me ekipin e parë këtë sezon, ka luajtur me të rinjtë – ekipin e dytë të Bayernit.

Kurse Muslija ka bërë me Hannoverin këtë edicion 24 paraqitje në të gjitha garat dhe ka shënuar 3 gola.

Ashtu si Shabani, edhe Muslija është 20-vjeçar dhe luan në rrolin mesfushor sulmues. 

Lini Një Koment