Shaqiri: Po ndihem mirë, jam gati të kontribuoj në një sezon tjetër të suksesshëm

Xherdan Shaqiri e ka lënë prapa krahëve lëndimin e fundit dhe thotë se po ndihet mirë. Mesfushori kosovar është i gatshëm të kontribuojë për Liverpoolin në një tjetë sezon të suksesshëm

Xherdan Shaqiri është duke e shfrytëzuar rastin për t’u rikthyer në skenë dhe për të luajtur në fillim të sezonit të ri 2019/20 me Liverpoolin pas lëndimit të fundit që e kishte pësuar, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar i ka nisur ushtrimet me pjesën tjetër të ekipit në bazën e tyre në Evian, duke e lënë prapa krahëve lëndimin e fundit që e kishte pësuar teksa po luante me Zvicrën në muajin qershor.

Tash, Shaqiri shpreson të jetë i gatshëm dhe të mund të kontribuojë qysh në ndeshjen e së dielës në FA Community Shield ndaj Manchester Cityt në stadiumin “Wembley”.

“Unë jam mjaft i lumtur që jam kthyer, më në fund”, ka thënë Shaqiri për uebfaqen zyrtare të klubit, “Liverpoolfc.com” nga Franca.

“Unë e pësova një lëndim me ekipin kombëtar, kështu që isha duke e bërë rehabilitimin në Melwood, derisa pjesa tjetër e ekipit ishte në Amerikë”, ka shtuar ai.

“Tash jam mjaft i lumtur që jam kthyer, që të rinis gjithçka dhe t’i kthehem ekipit. Jam mjaft i lumtur që më në fund po ndihem mirë dhe jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin”, nënvizoi përfaqësuesi zviceran.

“Lëndimet janë pjesë e jetës dhe ky është futbolli. Jam mjaft i lumtur që nuk e kam humbur fillimin e sezonit, ai do të nisë shpejt dhe jam i lumtur që jam kthyer para se ai të fillojë”, shprehet tutje futbollisti nga Zhegra e Gjilanit.

“Është gjithmonë ndjenjë e mirë të takohem me shokët e skuadrës. Ata ishin në Amerikë, disa djelmosha qëndruan në Melwood, por tash jemi të gjithë së bashku dhe mund t’i shohësh të buzëqeshur, duke bërë shaka. Është mjaft e rëndësishme të jemi të bashkuar dhe ta shfrytëzojmë mundësinë tonë të arrijmë shumë gjëra të mira në edicionin e ri”, shton Shaqiri.

Pas ndeshjes në Community Shield këtë të diel, Liverpooli do ta nisë sezonin e ri të Premierligës më 9 gusht me ndeshjen ndaj Norwich Cityt në “Anfield Road”.

Dhe, pas suksesit të sezonit të kaluar në Champions League, tash është koha për ta fituar titullin e kampionit të shumëpritur edhe në Premierligë.

“Të gjithë janë mjaft të uritur dhe ne duam të shkojmë atje përsëri. Ne duhet t’ju tregojmë të gjithëve se mund t’ia dalim përsëri dhe të mundohemi të jemi paksa më të mirë se sezonin e kaluar edhe në Premierligë”, thotë ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt.

“Do të jetë e vështirë të përsëritet sezoni i kaluar pasi jemi pjesë të një lige të fortë, por ne kemi ekip të mirë dhe duam të bëjmë mirë e më mirë çdo vit dhe të vazhdojmë të përmirësohemi. Ne duhet të jemi gati, do të jetë e vështirë, por jam i sigurt se mund të fillojmë mirë”, përfundoi Shaqiri.