Shaqiri pritet të mungojë për të nëntën ndeshje radhazi të Liverpoolit

Xherdan Shaqiri nuk pritet të jetë titullar as në ndeshjen e kësaj fundjave të Liverpoolit, kundër Chelseat. Kjo mund të jetë ndeshja e nëntë radhazi e Liverpoolit në të cilën Shaqiri s’e luan asnjë minutë.

Chelsea dhe Liverpooli do të përballen të dielën në Anfield, në kuadër të Premierligës. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi që humbja do t’ia dëmtonte Liverpoolit shpresat për titull, ndërsa Chelseat shpresat për një vend në top katërshe, transmeton Gazeta Express.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar formacionin e mundshëm të Liverpoolit për këtë ndeshje dhe Xherdan Shaqiri nuk pritet të luajë as në këtë ndeshje, pasi që trajneri Jurgen Klopp po preferon të luajë me Naby Keitan, Fabinhon e Jordan Hendersonin në mesfushë, pas treshes Sadio Mane – Roberto Firmino- Mohamed Salah.

Shaqiri i shënoi gjashtë gola në fillim të karrierës së tij me Liverpoolin, qoftë nga stoli ose edhe nga formacioni i parë. Pikën më të mirë të karrierës në Anfield ai e përjetoi në ndeshjen kundër rivalit të vjetër, Manchester Unitedit, kundër të cilëve i shënoi dy golat e fitores.

Edhe pas kësaj ndeshjeje, Shaqiri shënoi sërish në ndeshjen kundër Newcastleit. Ndikimi që 27-vjeçari e kishte në skuadrën e Jurgen Kloppit ishte i pamohueshëm, pasi që arriti të ndërhyjë në dinamikën e treshes së famshme të sulmit të Liverpoolit.

Aftësia e tij në fazën e sulmit bëri që trajneri Jurgen Klopp ta ndryshojë formacionin nga 4-3-3 në 4-2-3-1, në mënyrë që të kishte vend në formacion të parë për Shaqirin, përkrah Mohamed Salahut, Roberto Firminon e Sadio Manen.

Megjithatë, që nga atëherë, Shaqiri duket se është zhdukur në skuadrën e Liverpoolit. Ai nuk e ka shënuar asnjë gol dhe nuk e ka bërë asnjë asist që nga përballja me Newcastleit, si dhe nuk ka luajtur asnjë minutë në tetë ndeshjet e fundit për klubin anglez. 

Lini Një Koment