Shkëmbimi i territoreve, i papranueshëm

Pas akademik Rexhep Qosjes, idenë e “shkëmbimit” të territoreve me Serbinë së fundmi e hodhi edhe kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher. Në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, Rohrabacher ka thënë se ka ardhur koha që të dyja anët duhet të kërkojnë një ndryshim të kufirit verior me dobi të ndërsjellë, i cili do të rezultonte me më tepër serbë në Serbi dhe me më tepër kosovarë në Kosovë.

 

Madje sipas kongresistit Rohbracher, ky opsion është në dispozicion dhe nuk duhet të injorohet. Megjithatë, ky propozim jo që nuk po has në mirëkuptim në institucionet kosovare, mirëpo as që dëshirohet të bisedohet për të. Ndërkaq në Serbi kryeministri Aleksandër Vuçiq, duke folur për idenë e kongresistit Rohrabacher, ka thënë se kjo është vetëm një përpjekje për të kërkuar zgjidhje të tjera, porse Serbia ka kushtetutën e vet, e cila në mënyrë të qartë flet për integritet. Në anën tjetër, edhe analistët kosovarë thonë se kjo është një ide e rrezikshme. Sipas tyre, fillimi i një pazari për dhe rreth Kosovës do të thoshte hapja e Kutisë së Pandorës. E kundër kësaj ideje është edhe opozita kosovare. Sipas tyre, Kosova në kushtet dhe rrethanat aktuale më së miri do të kishte qenë ta kompletojë Republikën e vet e pastaj të mendohet për të tjera gjëra.

Gecaj: Këto ide nuk merren parasysh

Në Qeverinë e Kosovës nuk dëshirojnë të deklarohen fare zyrtarisht sa i përket shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Sipas tyre, kjo është një ide që nuk është fare ide dhe nuk qëndron. Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë për “Zërin” se kjo është edhe një prej ideve të cilat ai nuk i merr fare parasysh. “Kjo nuk është ide. Nuk deklarohem fare”, ka thënë fillimisht Gecaj. /ZERI