Shpend Ahmeti paralajmëron se do të zbatohet ligji për “Kishën e Millosheviqit”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëpërmes një postimi në rrjetin social ka informuar lidhur me zhvillimin e djeshëm në objektin që ndodhet në kampusin universitar dhe veprimet e Komunës së Prishtinës.

“Drejtoria e Inspekcionit e Komunes se Prishtinës sot ka dal në vendin e ngjarjes te Kisha Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës pas shumë raportimeve se atje po punohet.

Drejtoria e Inspekcionit ka vërejtur disa persona duke punuar në pastrimin e objektit të cilët kanë refuzuar të legjitimohen. Është vërejtur se në emër të pastrimit është bërë gëlqerosje e disa murreve ku kanë qenë të shkruara parulla të ndryshme.

Komuna e Prishtinës ka ndërprerë këtë aktivitet dhe ka kërkuar nga personat e përfshirë që të sjellin gjithë dokumentacionin zyrtar rreth këtyre punëve në drejtorinë e inspekcionit sot. Po ashtu kemi kërkuar në qoftë se ka ndonjë letër apo leje pune nga qeveria e Republikës së Kosovës.

Komuna e Prishtinës nuk posedon asnjë dokumentacion rreth kësaj ndërtese. Qe më shumë se një vit kemi bërë thirrje tek të gjitha palët të sjellin dokumentacionin relevant, por kemi hasur në mospërfillje. Ne do ta zbatojmë ligjin sa i përket kompetencave të komunes dhe i ftojmë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet që të funksionojnë në përputhje me Ligjin për Ndërtimin”, ka shkruar Ahmeti.

Kisha ortodokse e Millosheviqit në hapësirën e UP-së, është ndër dëshmitë më të shëmtuara të arrogancës, injorimit dhe përçmimit që kanë përjetuar shqiptarët nga fundi i shekullit të shkuar.
Ky objekt është simbol i okupimit dhe i apartheidit kosovar./Sakte.net