Shpend Maxhuni i PK-së apo PDK-së? Ja si erdhi ai në krye të policisë dhe ku dështoi

Viti 2010 mund të konsiderohet si viti i emërim-shkarkimeve në hierarkinë më të lartë të Policisë së Kosovës.

Në pjesën e parë të vitit 2010, në fund të muajit mars, ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte marrë vendim për ta shkarkuar Sheremet Ahmetin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Ushtrues detyre në krye të policisë ishte emëruar Behar Selimi. Pas shpalljes së konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Selimi kishte aplikuar për këtë pozicion ndërsa asnjëri nga ndihmësit e tij nuk ishte futur në garë. Por, shumë shpejt kryeministri Thaçi ishte detyruar ta shkarkojë ushtruesin e detyrës Behar Selimi për shkak se ai kishte vendosur të angazhohej politikisht në Partinë Demokratike të Kosovës. Në fund të muajit tetor të vitit 2010, ish kryeministri Thaçi me rekomandim të ministrit të atëhershëm Bajram Rexhepi pati emëruar Reshat Maliqin drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për një periudhë tre vjeçare. Por, Maliqi këtë post do ta mbante vetëm për më pak se nëntë muaj, deri në muajin korrik të vitit 2011. Ai ishte shkarkuar nga ish kryeministri Thaçi pa ndonjë arsyetim, gjë që e kishte detyruar të deponojë edhe padi në gjykatë, njërën kundër Hashim Thaçit ndërsa tjetrën ndaj Qeverisë së Kosovës për ndërprerje të Marrëdhënies së Punës.

Dalja në skenë e Shpend Maxhunit

Pas shkarkimit të Maliqit në skenë doli zëvendësdrejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni i cili ishte emëruar nga ish ministri Bajram Rexhepi. Maxhuni deri në emërimin në këtë pozitë ishte zëvendës i zëvendësdrejtorit për operativë në Policinë e Kosovës. Por, aspiratë e Maxhunit ishte kreu i Poliicsë së Kosovës, gjë që e dëshmonte edhe konkurrimi i tij për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Dhe ky synim iu realizua vetëm disa muaj më vonë, menjëherë pas shkarkmit të Reshat Maliqit. Me vendim të ish kryeministrit Hashim Thaçi, Shpend Maxhuni u emërua Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës në tetor të vitit 2011 për një periudhë 3 vjeçare.

Që prej asaj kohe, një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Kosovë vazhdon të udhëhiqet nga Shpend Maxhuni.

Reagimet dhe kallëzimet penale në adresë të Shpend Maxhunit

AAK kishte reaguar ndaj Maxhunit në muajin tetor të vitit të kaluar duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që ta largojë nga kjo pozitë të parin e Policisë pasi që sipas tyre, mandati i tij ishte vazhduar kundërligjshëm, pa bazë ligjore. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar rreth 80 Kallëzime Penale kundër intervenimit të Policisë së Kosovës në zyrat e këtij subjekti opozitar më 28 nëntor të vitit 2015. Kallëzim penal kundër ishte ngritur ndaj drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit, drejtorit operacional, Rashit Shala, si dhe udhëheqësit të Njësisë Speciale, Alben Jetullahut.

Shfajësimi i Shpend Maxhunit për rastin e Kumanovës

Drejtori i Policisë Shpend Maxhuni ishte shfajësuar edhe për ngjarjet që ndodhën në Kumanovë. Ai kishte deklaruar se autoritetet e Maqedonisë nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm në shkëmbimin e informacioneve, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës, sipas tij, nuk kanë pasur asnjë informatë të mëhershme, që do të paralajmëronte përleshjen e armatosur në Kumanovë. Në bazë të verifikimit që i kanë bërë autoritetet e Kosovës informacioneve të marra nga autoritetet maqedonase, konflikti i armatosur në Kumanovë rezultoi me 9 shtetas të Kosovës të vrarë dhe 21 të arrestuar.

Përgjimet dhe pretendimet për një mandat të ri

Së fundmi emri i Shpend Maxhunit u lakua bisedat e Adem Grabovcit në përgjimet e publikuara. Grabovci në këto biseda pretendon se me kërkesë të tij deri më tani 5-6 persona janë pozicionuar nga Shpend Maxhuni në poste të caktuara.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe disa ditë kur do të hapet konkursi për Drejtor të Policisë së Kosovës, ndërsa portali “Indeksonline” nga burimet e veta ka mësuar se Shpend Maxhuni ka marrë pëlqimin që të jetë edhe katër vite në këtë post. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ende s’ka publikuar konkursin për këtë instuticon. Shpend Maxhuni pritet të rizgjidhet edhe për një mandat në krye të institucioni të sigurisë./Sakte.net

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme