Shpërblimet i presin medalistët

Kosova do ta shijojë pjesëmarrjen e parë dhe historike në Olimpiadën e Rios, e cila do të nisë më 5 gusht dhe do të mbyllet më 21 të këtij muaji. Tetë sportistë kosovarë do të jenë pjesë e “Rio 2016”, me shpresën dhe synimin që ta prezantojnë sa më mirë vendin e tyre, shkruan gazeta Zëri sot.

Por, ka prej tyre që në Brazil shkojnë për diçka më tepër. Për shembull, Majlinda Kelmendi shihet si njëra prej favoriteve për të fituar medalje olimpike, ndërsa shumë prapa nuk mbetet as Nora Gjakova, e cila synon ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar në Baku, ku e kishte fituar të bronztën në Lojërat Verore.

Përpos krenarisë që e mbajnë me vete që e përfaqësojnë vendin e tyre, që është e padiskutueshme, një motiv tjetër shtesë për të fituar medalje është edhe shpërblimi që e ka rregulluar shteti i Kosovës për medalistët olimpikë, të botërorëve apo edhe evropianëve, raporton Zëri.

Shpërblime goxha të mira për një vend në krizë. Me këtë rast, sportisti që e fiton medaljen e artë olimpike do të shpërblehet nga shteti me 100 mijë euro, ndërsa medalja e argjendtë shpërblehet me 60 mijë dhe e bronzta me 40 mijë euro. Për të shkuar edhe më lart: rekordi olimpik paguhet 200 mijë euro.

Gjithsesi, një sukses eventual në Olimpiadë do ta gëzonte cilindo sportist që e bën krenar vendin e tij, e më pas edhe shpërblimi nga shteti. /Zëri/

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë