Shqipëri e rraskapitur!

Xhevdet POZHARI

Edhe pleqtë e shtyrë në moshë, kryesisht me bicikleta apo motoçikleta ishin pjesë e “turizmit evropian” në Shqipëri. Njëri barte një bidon benzinë, tjetri një bocë plini në temperatura rreth 40 gradë. Një tjetër që mezi mbante timonin e biçikletës, me një dorë e ngiste e me tjetrën barte një komplet me vezë. Këto dhe pamje tjera të ngjashme, fillimisht të pazakonta, gradualisht nisin e bëhen rutinë në aksin rrugor që lidh qarkun e Shkodrës me atë të Lezhës.

Më në thellësi shtrihen zonat turistike, aty ku bregdeti shqiptar pret turistët e shumtë nga Kosova. Dritat, shëtitoret, lokalet, zhurma, nuk e fshehin të vërtetën e dhembshme se edhe pronarët e vilave dhe pushimoreve janë njerë të shtyrë në moshë. Në një bashkëbisedim të zakontë e kupton se vajzat i kanë të martuara larg vendit, në Zvicër, Gjermani, se djalin e kanë në Itali apo Greqi.

Mikpritja dhe buzëqeshja e përhershme nuk iu shqitet, edhe kur përpiqen ta fshehin mallin për nipat e tyre, por duart që u dridhen i tradhtojnë kur i shohin fëmijët e vegjël. “Ja, kaq e kam nipin… mbesën”, dëgjon psherëtima të pleqve që kanë zgjedhur stinën e fundit të jetës ta kalojnë në vendlindjen e tyre. Qëmoti kalendari i tyre i jetës matet me kohën e shkuarje-ardhjeve të atyre që do të duhej të ishin brezat e ardhshëm, ata që do ta çonin Shqipërinë përpara, ata që do t’i jepnin shpirt dhe jetë.

Rrudhat e tyre thuajse janë jetëshkrim i mbijetesës të të gjitha sistemeve. Vullneti i hekurt dhe sakrifica e një jete përplot vuajtje nuk ua ka zbehur gëzimin për jetën. Më shumë se persekutimi nga “koha e xhaxhit”, si gur në gjoks u peshon malli për nipat dhe mbesat që iu rriten larg “parajsës” që tash e sa vite ua premtojnë “pinjollët e xhaxhit” të cilët do ta dërgojnë Shqipërinë në Evropë, të shterur nga vrulli rinor, si një nuse e grimosur që ta fsheh moshën dhe të vërtetën se qëmoti i ka ikur koha e plleshmërisë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme