Shqipëria e Greqia me patrullime të sinkronizuara të kufirit të përbashkët

Një takim i nivelit të lartë mes drejtoreshës së Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj dhe koleges së saj greke, Zaharoula Tsirigoti është zhvilluar ditën e sotme.

Në fokus të diskutimeve mes tyre, siç raporton Shqip, kanë qenë patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore shqiptare dhe greke, me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar.

Hajnaj dhe Tsirigoti kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe rezultatet e arritura nga aplikimi i mirë i masave të përbashkëta.

“Në takimin e sotëm u diskutua dhe në parim ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, e cila do të fillojë me Kakavijën dhe pastaj do të zbatohet në të gjitha pikat e tjera që janë në kufirin me Greqinë. Vendosja e patrullimeve të sinkronizuara në kufirin e gjelbër që nga muaji Nëntor dhe në vazhdim, ka ndikuar në parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminiale ndërkufitare. U theksua forcimi i bashkëpunimit midis Drejtorive lokale të Kufirit me qëllim shkëmbimin e informacionit, dhe me objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar”, është shprehur znj. Hajnaj.

“Më shumë akoma ka sjellë takimi i grupeve të punës dhe i pikave të kontaktit që kemi përcaktuar si dhe shkëmbimi i informacioneve që bëhet ndërmjet dy shërbimeve policore, ku ka patur si rezultat arrestimin e personave, njëkohësisht dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike. Objektivi ynë i ardhshëm është plotësimi i kuadrit ligjor për qendrën e përbashkët të kontaktit policor dhe bashkëpunimit doganor në Kakavije dhe vazhdimin e masave që tani jemi duke zbatuar, patrullime të përbashkëta dhe takimet e përbashkëta që po zhvillohen në luftë kundër kriminalitetit”, tha znj. Tsirigoti.

Në përfundim të takimit janë inspektuar të dy pikat e kalimit kufitar Shqiptar dhe atij Grek, ku drejtuesit lokalë të kufirit kanë dëshmuar dhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë midis dy vendeve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme