Shqiptarët e pafajshëm nëpër burgje, pushteti nxitohet të amnestojë Sasho Mijallkovin dhe “terroristët” e 27 Prillit!

Shkruan: Emad MEHMETI

Maqedonia shpesh i ngjan një poligoni ku forcat e huaja matin fuqitë e tyre, që më pas të shtyjnë ndikimin e tyre përmes Maqedonisë në Ballkan. Mirëpo, padyshim shqiptarët që moti janë përcaktuar drejt të ardhmes euro – atlantike, derisa te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë maqedonase ekziston dilema se kah do të shkojnë.

Të premten e kaluar për pak desh rrëshqiti shteti në duart e Rusisë. Dhe kjo sigurisht se do krijonte pasiguri të mëdha, gjithashtu edhe shumë të panjohura për ekzistencën e shtetit edhe ashtu të brishtë. Ndërkohë, janë shtuar zërat se ish kreu famëkeq i shërbimit sekret gjatë qeverisje VMRO – BDI, Sasho Mijallkov, ka ndikuar tek deputetët e VMRO – DPMNE të cilët janë në procese gjyqësore për rastin terrorist të 27 Prillit në Kuvend (kështu u klasifikuan nga Prokuroria), si dhe çështje tjera, që të votojnë për ndryshimet kushtetuse. Pra, me këtë rast duket se kryeministri, Zoran Zaev, ka respektuar parimin se qëllimi arsyeton mjetin. Por, si do zhvillohet tutje “kumbarllëku” i krijuar mes Mijallkovit, Zaevit dhe BDI-së (me amnestinë e ofruar), nëse këto pretendime janë të vërteta? Kjo sigurisht se mbetet të shihet. Ajo që dihet është se LSDM-ja personifikimin e regjimit kriminal e korruptiv e zhvilloi kryesisht po te figura e Sasho Mijallkov.

Megjithatë, shkelja e drejtësisë për qëllime politike prodhon kriza edhe më të thella. Ndaj, asnjëherë nuk duhet mënjanuar arritja e drejtësisë, thjesht për përfitime ditore politike, apo për agjenda që duhen arritur me çdo kusht. Në këtë rast, nëse ndodh amnestimi i tërësishëm i pjesës së skenës kriminale politike, atëherë Maqedonia e Veriut apo cila do qoftë vështirë se do mbijetojë, si një shtet i cili dihet se mirëmbahet nga faktori ndërkombëtarë.

Amnestia. Gjithçka filloi kur nga foltorja e Kuvendit kryeministri, Zaev shtriu dorën e pajtimit me VMRO – DPMNE-në. Kjo me të drejtë u interpretua si falje – lirim nga gjykatat e atyre që shkelën çdo norm në të kaluarën. E sigurisht, se kryeministri nuk ka tagër të përzihet në punët e drejtësisë, por u duk se po bëhet njësh me të. Ju e dini që shtylla kryesore e ndërrimit të pushteteve në Maqedoni, ishte pikërisht mungesa totale e drejtësisë ndërkohë që funksionionte kaosi i kontrolluar nga politika. Dyshimet shtoheshin, dhe këtu për të vënë vulën ishte deputeti i BDI-së, i cili tha se amnesti duhet të ketë për deputetët e VMRO-së sepse janë njerëz të mrekullueshëm. Njerëz të mrekullueshëm? Çfarë perversiteti ata që u sulën drejt Kuvendit për të vrarë deputetët nga BDI llogariten si njerëz të “mrekullueshëm”! Pse nuk kërkon BDI amnesti për rastet e montuara për shqiptarët e pafajshëm që dergjen burgjeve, por u shkon mendja vetëm për vëllezërit e deridjeshëm të VMRO-së, të cilët një pjesë prej tyre mbollën antishqiptarin në bashkëqeverisje? Për këtë ata duhet të përgjigjen.

Megjithëkëtë fillimi i procedurës për ndryshimet kushtetuese u votua. Mirëpo është momenti historik kur partitë shqiptare duhet të ngulmojnë, që për shembull në marrëveshjen e arritur mes Greqisë e Maqedonisë, ku kombësia dhe gjuha njihet ekskluzivisht si maqedonase, e askund nuk parashihen edhe shqiptarët, të plotësohet në amandamente edhe me shqiptarët dhe popujt tjerë. Sepse, pikërisht këto mënjanime krijojnë disbalansin mes komunitet shqiptar dhe maqedonas në vazhdimësi. Është çasti që përtej blerjes së kohës nga partitë maqedonase si çdoherë, të dëshmohet më në fund se Maqedonia e Veriut do jetë e banueshme për të gjithë pa marrë parasysh përkatësitë fetare apo etnike. Ndryshe, do amnestohen kriminelët politik, por vendi do ngelet pa njerëz.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme