Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Turqisë dhe kurdëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Turqisë dhe militantëve Kurdë që të ndalojnë luftën mes tyre në territorin Sirian. Sipas Uashintonit kjo luftë është e papranueshme.  Ndërkohë, kurdët akuzojnë Ankaranë se dëshiron që të pushtojë Sirinë.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të papranueshme luftën mes Turqisë, rebelëve pro-Turqë dhe forcave kurde në veri të Sirisë. Uashingtoni bën thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftimeve. “Përleshjet në vende ku militantët e ISIS nuk ishin prezentë janë një burim i thellë shqetësimi”, shkruan në një mesazh në tuitër i dërguari i SHBA për koalicionin kundër ISIS.
Forcat turke kanë sulmuar luftëtarët siriano-kurdë, të cilët Ankaraja i konsideron si grupim terrorist. Por militantët kurde YPG thonë se Turqia dëshiron vetëm që të marrë territor nga Siria.
Ankaraja nga ana e evt thotë se ka për qëllim largimin e luftëtarëve kurde dhe atyre të ISIS nga vija kufitare e tyre. Ushtria Turke dhe aleatët e ushtrisë së Lirë Rebele Siriane detyruan ISIS që të largohet nga qyteti kufitar Sirian, Xharablus. Që prej atëherë, ata kanë sulmuar fshatrat që kontrollohen nga forcat kurde, që mbështeten nga SHBA dhe Forcat demokratike të Sirisë.
Turqia insiston se militantët Kurdë, që konsiderohen si terroirstë, të largohen deri tek lumi Eufrat. Njësiti i Mbrojtjes Popullore Kurde, YPG, thekson se forcat e tyre janë tërhequr, ndërsa akuzojnë Turqinë se përdor si pretekst aksionet e fundit ushtarake për të pushtuar Sirinë. Një zëdhënës i Pentagonit konfirmoi se forcat kurde YPG janë tërhequr deri tek lumi, siç kërkohet nga Ankaraja.
Shqetësimi i Turqisë për zgjerimin e kurdëve është rritur ndjeshëm pasi këta të fundit kanë marrë kontrollin e qytetin strategjik Sirian, Manbixh.