Shumica e serbëve thonë se nuk do të luftonin “për ta kthyer Kosovën nën Serbi”

Një pjesë e madhe e qytetarëve të Serbisë mendojnë se nuk do të ishte e justifikuar për të shkuar në një konflikt të armatosur në mënyrë që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë.

Këto të dhëna, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, ka nxjerrë Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, përmes një ankete.

Sipas anketës, rreth 73 për qind i janë përgjigjur me “Jo”, 10 për qind me “Po, si dhe rreth 17 për qind me “Nuk e di”.

Studimi, gjithashtu tregon se shumica e votuesve nga partitë e krahut të djathtë, si SRS dhe Dveri nuk do të jenë të gatshëm të marrin armët “për hir të provincës jugore të Serbisë”.

Të anketuarit e moshës 18 deri 29 janë më agresivë, pasi 15 për qind e tyre do të shkonin në luftë për Kosovën, përcjell Telegrafi.

Në të njëjtën kohë 70.6 për qind e votuesve të SNS (Partia Progresive e Serbisë) kanë thënë se ata janë kundër idesë për të shkuar në luftë për të mbajtur Kosovën brenda Serbisë, ndërsa numri ishte 86.5 për qind kur bëhet fjalë për votuesit e DS (Partia Demokratike), dhe 70.2 për qind nga votuesit SPS-PUPS-JS.

Përqindja më e lartë e përgjigjeve negative erdhi nga mbështetësit e Lëvizjes “Mjaft është Mjaft”.

Sondazhi u krye me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, nga 26 dhjetori deri më 14 janar dhe ka përfshirë 1,403 qytetarë të rritur të Serbisë.