Si erdhi deri tek dështimi i Samitit të Parisit?

Takimi i Parisit i planifikuar për datën 1 korrik, i thirrur nga presidenti francez, Emanuel Macronn dhe kancelarja gjermane Angela Merkel është anuluar.

Kjo gjë është konfirmuar edhe nga kancelaria e Gjermanisë dhe Presidenca e Francës, por nuk janë dhënë arsye në lidhje me këtë, shkruan lajmi.net.

Në njërën anë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq fajin ia ka lënë Kosovës për mos-heqje të taksës, ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka fajësuar Serbinë për mos-gadishmëri për dialog dhe njohje të Kosovës.

Megjithatë, të dy shtetet të cilat nisën iniciativën për të kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, thanë se do të qëndrojnë në kontakt me të dy shtetet.

Para tre ditësh, në Berlin të Gjermanisë është mbajtur një takim i fshehtë midis Kosovës dhe Serbisë, të ish-delegacioneve teknike në bisedime ku Kosova u përfaqësua nga Avni Arifi e Selim Selimi, ndërsa Serbia nga Marko Gjuriq.

Mirëpo, a bëri ky takim që të anulohet Samiti i Parisit?

Zhurma për anulimin e këtij takimi nisi shumë më herët në Serbi, ku mos-heqja e taksës shihej si problem kyç për organizimin e një takimi të radhës pas atij të Berlinit.

Në takimin e Berlinit i cili ndodhi në fund të muajit Prill, Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje – përtej kësaj, pati mospajtime të liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe mos-koodrinim të qëndrimeve mes tyre.

Madje, kjo ngjalli edhe një polemikë të ashpër midis kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj e cila zgjati disa ditë.

Samiti i Berlinit ‘mollë sherri’ mes kryeministrave, Rama e Haradinaj të përçarë pas takimit

Takimi i Berlinit nuk dha asnjë rezultat – taksa nuk u pezullua, nuk pati asnjë tentim për të rifilluar dialogun e bllokuar tash e 7 muaj.

Serbia problem për rifillimin e dialogut e sheh tarifën 100 për qind të vendosur për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës, ndërsa kryeministri Haradinaj është këmbëngulës se kjo tarifë mund të largohet vetëm në qoftë se Serbia e njeh Kosovën.

Humbja e besimit në Brukselin, çoi në angazhimin e dy prej shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermanisë e Francës të përfshihen në procesin e dialogut, por sipas shumë ekspertëve kjo nuk mjafton.

Shumë nga politikanët dhe njohësit e çështjeve politike në Kosovë, besojnë se BE dhe shtetet e fuqishme si Gjermania e Franca nuk mund të zgjidhin problemin e Kosovës, ndërsa zgjidhjen e shohin në Uashington.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka bërë thirrje disa herë presidentit të SHBA-ve, Donald Trump ta vizitojë Serbinë dhe është shprehur i sigurt se ai mund t’i japë kahje tjetër kësaj situate.

Njohësit e çështjeve politike, kanë vlerësuar se BE është e pafuqishme për ta zgjidhur këtë situatë, ndërkohë që anulimi i këtij takimi mund të shihet si një konfirmim për këta zëra.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme