Si përgjigje ndaj akuzës për neokomunizëm, Vetëvendosje ia kujton Mustafës funksionin komunist

Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj një deklarate të mbrëmshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas të cilës “deputeti Çaushi dhe Vetëvendosje janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje”. Deputeti Çaushi dje ia kujtonte kryeministrit Isa Mustafa 70 dosjet që e presin në prokurori.

Në reagimin e sotshëm të Vetëvendosjes thuhet:

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende nuk është deklaruar në lidhje me përgjimet e klanit Pronto, me shpejtësi drite paska reaguar ndaj deputetit Driton Çaushi, i cili ia përmendi Isa Mustafës 70 dosjet që tash e sa kohë i ka në Prokurori. Dosje këto, që LDK-në e futën në koalicion me ata që i akuzonte për vrasjen e aktivistëve të saj.

Në një komunikatë ku gërshetohen injoranca, hipokrizia dhe praktika e servilizmit, LDK paska deklaruar se deputeti Çaushi dhe Vetëvendosje janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje, duke harruar se nuk ka gjë më institucionale sesa të burgoset ai i cili ka 70 dosje për krim e keqpërdorim. Ndërsa, nga paniku i jashtëzakonshëm për rënien në elektorat në gjithë vendin, LDK e cila në komunikatën e saj përmend edhe neokomunizëm, harron se kryetari i saj ka qenë shërbyes i zellshëm i sistemit komunist jugosllav dhe anikombëtar i shquar.

LDK, e cila mori në mbrojtje Adem Grabovcin për punësimet e jashtëligjshme, qenka shërbyer me listën e PDK-së për “punësimet” e Shpend Ahmetit, të cilën e përgënjeshtruan vetë eksponentë të kësaj të fundit. Teksa në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës dhe borde të ndërmarrjeve vazhdojnë punën familjarë të zyrtarëve të LDK-së e militantë të saj, të punësuar gjatë keqqeverisjes 14 vjeçare të LDK’së dhe klanit të Hamitëve.

Kjo parti me një kryetar pakurrizor, e cila tradhtoi elektorartin e saj, duke i hyrë nën sqetull PDK-së dhe ShIK-ut, vazhdon të përtypë shpifje e broçkulla të ndryshme, dhe merr mund të flasë për perspektivën evropiane dhe miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, teksa nuk bëzajti kur Hashim Thaçi tallej me po këta.

E kapur në njërën anë nga Hashim Thaçi, e në anën tjetër nga Kadri Veseli, të prirë nga degraduesi i Prishtinës, Isa Mustafa, LDK po ecë sigurt drejt humnerës. Dhe, kjo padyshim është ndihma më e mirë për perspektivën e Kosovës, – përfundon reagimi i Vetëvendosjes.