Si u bënë “Rrush e Kumbulla” fondet rezervë në qeverisjen Haradinaj

Egzon Dahsyla/kallxo.com

Është publikuar raporti vjetor financiar i buxhetit të Kosovës për vitin 2019.

Në këtë raport, janë publikuar edhe shpenzimet që i ka bërë Qeveria Haradinaj, nga Fondi Rezervë i Buxhetit, për vitin e kaluar.

Gjithsej 46 vendime janë marrë gjatë vitit 2019 për transfere nga Fondi Rezervë, në shumën totale prej 6 milionë e 130 mijë eurove.

Sipas Ligjit, Fondi Rezervë ka të drejtë të shpeznohet vetëm në raste të paparashikuara dhe urgjente. Ndërsa organizatat buxhetore mund të kërkojnë në ministri fonde shtesë, por që duhet të shpjegohen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashihen në buxhetin fillestar.

Në këto vendime, ka të tilla si përkrahje për sportin, kulturën,  shoqatat e dala nga lufta, rezidencën Rugova, Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ e deri te ndihma financiare për katedralen ‘Notre-Dame’ në Francë.

Vendimet për luftën e UÇK-së

Qeveria e Kosovës mori vendime për transfere për shoqatat e dala nga lufta dhe monumente që kanë lidhje me luftën e UÇK-së.

Me 26 shkurt 2019 u mor vendimi për ndarjen e 25 mijë e 170 euro për Epopenë e UÇK-së në Dukagjin.  74 mijë euro të tjera u ndanë me 12 mars 2019, për ngritjen e monumentit kushtuar dëshmorit Harun Beka.

Dy herë nga 390 mijë euro u ndanë për Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, me 26 prill dhe 17 dhjetor të vitit 2019.

Kurse 200 mijë euro u ndanë me 11 qershor 2019, për Komitetin Ndërministror për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz.

Institucionet publike

Qeveria e udhëhequr atë kohë nga Ramush Hardinaj ndau mjete edhe për disa institucione, si dhe për aktivitete si Përvjetori i Pavarësisë, e për Delegacionin Shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
Për këtë të fundit u ndanë plotë 300 mijë euro, që më pas u shpall si anti-kushtetues.

Me 26 mars u ndanë 115 mijë e 740 euro, për punën e Komisionit Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.

171 mijë euro të tjera u transferuan për kompenzimin e shtesave dhe stiumilimin financiar për vitin 2019 të Prokurorëve Special.

Për hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e Reformës në Administratën Publike të Kosovës, me 23 maj 2019 u ndanë 95 mijë euro.

Për çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit me 17 dhjetor 2019 u ndanë 358 mijë euro të tjera.

100 mijë euro u ndanë për themelimin e Qendrës përkujtimore ‘Bllacë 1999’.

Dy herë nga 500 mijë euro u ndanë për realizimin e aktiviteteve për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe për ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kurse 1 milion euro ishin ndarë për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në Komunën e Rahovecit.

Përkrahjet për Kulturë dhe Sport

Qeveria Haradinaj ndau mjete edhe për përkahje në sektorin e Kulturës dhe të Sportit.

Me 12 shkurt 2019 u mor vendim për përkrahjen e realizimit të filmit ‘Lojë Jete’, në vlerë 180 mijë euro.

70 mijë euro të tjera u ndanë për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Për blerjen e një mini-autobusi për nevojat e Federatës së Xhudos së Kosovës u transferuan 143 mijë euro. Kurse për Kombëtaren e Kosovës në Futboll u ndanë 500 mijë euro, më 2 prill 2019.

Shpenizme të tjera

Vetëm 5 mijë euro u ndanë nga Qeveria e Kosovës në vitin 2019, për 24 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur, si përkrahje për funksionimin e tyre.

Me 2 prill 2019, u ndanë 137 mijë euro për projektin e ‘zëvendësimi i gypave të azbestit’.

Ndërsa për pagesën e punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale ‘Ibrahim Rugova’ u ndanë 57 mijë e 944 euro.

20 mijë euro të tjera u transferuan për mbështetjen financiare për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe të braktisur – SOS Fshtrat e Kosovës. Kurse 40 mijë euro të tjera për blerjen e aparaturës dixhitale për shëndetësi.

Raportin e plotë financiar mund ta gjeni Këtu

 

 

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme