Si u shkruakan një metër libra!?

Shkruan: Kim MEHMETI

Në fillim të vitit, një botues nga Tirana më tha se është i interesuar ta botojë kompletin e veprave të mia. Propozim i tij ngjalli te unë një trishtim të heshtur, të ngjashëm me atë kur të ‘sëmurit’ ia kumtojnë se e ka mposhtur sëmundja më e pashërueshme, sëmundja që nga dita në ditë e mplakë, e brenë dhe e asgjëson si njeri – JETA! Në të vërtet, si kurrë më parë, u përballa me atë që nuk më kishte shkuar ndërmend: se kisha arritur moshën kur nuk ishin vetëm fëmijët e mi ata që nuk prisni më t’ua shtoja atë që do e trashëgonin, por edhe botuesit, kishin filluar të besonin se s’kishte ç’të pritej nga unë më shumë se ajo që kisha shkruar e botuar deri më tani.

Por megjithatë, si çdo baba mburracak shqiptar, për propozimin e botuesit u tregova fëmijëve të mi. Mbase që ta kuptonin se ndoshta nuk do kishin me çka të mburreshin me babën që kishin, por sidoqoftë, edhe nuk do ua lija trashëgimi as turpin. Dhe pa marrë parasysh si ndjehesha i përballur me fundin e paralajmëruar krijues, djali im Semi, ndoshta për t’u mburrur se nuk kishte babë ‘koti’, propozimin e botuesit nga Tirana e kishte rrokullisur tutje, deri sa kishte arritur te veshët e mikut tim, Adnan Ismailit përndryshe pronar i shtëpisë botuese ‘Logos –A’, i cili, ndoshta jo pse donte, por nga turpi pse nuk më kishte ofruar diçka të tillë, erdhi dhe më tha se donte ta botojë kompletin e veprave të mia.

Pastaj, çdo gjë morri rrjedhën e një procesi të natyrshëm mes dy shqiptarëve, nga të cilët, njeri (pra, unë) bëhet kinse nuk do, e tjetri (lexo: pronari i SH.B. ‘Logos-A’) bëhet kinse nuk lëshon pe, e në të vërtetë, që të dy bënim të pashmangshmen: atë që na e ngarkonte miqësia dhe rrita e përbashkët – e imja si shkrimtar dhe e ‘Logos-A’ si botues më serioz në Maqedoni, e më gjerë.

Dhe që nga dita kur filloi përgatitja e këtij kompleti, fillova të ndjehesha si ai të cilit tani do ia kompletonin portretin krijues, me çka do shihej fytyra e tij e plotë si shkrimtar. Dhe ndoshta prandaj, nuk më hiqej nga mendja thënia se vetëm gjatë fëmijërisë dhe rinisë, njeriu jeton me fytyrën që ia ka dhënë Zoti dhe se, gjatë jetës së mëtejme, duke shpresuar dhe duke synuar të arrijë të ëndërruarat, ai në të vërtet e zgjedh fytyrën e pleqërisë dhe atë me të cilën do vdesë. Me çka më egërsisht se kurrë më parë m’u sforcua bindja se njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdesë me fytyrën që e ka zgjedhur për vetveten – me atë të turpit, apo atë të njerëzores. Me çka pra më rritej shpresa se e kam Jetuar ndershëm edhe jetën time krijuese dhe se sadopak, si njeri e krijues, nuk kam fytyrë të shëmtuar!

Po pra, rrjedha e përgatitjes së kompletit të veprave të mia, më përballi me gjatësinë e rrugëtimit jetësor e krijues që kisha kaluar. Dhe ma rikujtoi nismën e atij udhëtimi. Kështu që m’u kujtua botimi i librit të parë, i të dytit dhe i të gjitha veprave të pastajme si dhe, të gjithë atë që atyre ua dhashë dhe që ato më sollën.

Gjatë rikujtimit të këtij udhëtimi jetësorë e krijues, përnjëherë m’u qartësua se njësoj si fëmijën që e çojnë drejtë rritës së tij duke e gënjyer me dhuratat që do ia blejnë të nesërmen, edhe të rriturit, ecin gëzueshëm drejt pleqërisë dhe vdekjes, duke u vetëgënjyer me sukseset qe do i arrijnë nesër, e madje, nëse janë shkrimtar, edhe me ditën kur do ua botojnë kompletin e veprave të tyre!

Dhe kur bëhet fjalë për fillimet e mia krijuese, nuk mund të mos e rikujtoja takimin e parë me idhullin e viteve të mia rinore – me Anton Pashkun! Me të u takova në vitin 1986, kur u ngjita në katin e nëntë të Pallatit të Shtypit, apo të Shtëpisë Botuese Gazetareske “Rilindja”, e ku ndodhej edhe zyra e tij. Kisha nën sqetull dorëshkrimin e përmbledhjes sime me tregime “Dënesje”, por brenda vetvetes bartja lumturinë që do njoftohesha me prozatorin që aq shumë e doja. Ishte fjalë pak, bartte në vete një qetësia të mahnitshme. Dhe përderisa i ndrojtur ia dorëzova dorëshkrimin, pyesja vetveten si ishte e mundur që ai njeri aq fjalëkursyer dhe i qetë, t’i kishte shkruar ato tregime, drama dhe romanin “Oh”.

Asokohe duhej të kalonin vite, e jo muaj, që të botoje libër. Por për çudi, nuk kishin kaluar as tre muaj nga dorëzimi i dorëshkrimit, kur Pashku më telefonoi që të shkoja të takoheshim. Dhe shkove në zyrën e tij, i parapërgatitur se do më këshillonte t’i përpunoja tregimet, në stilin ‘këtë mund ta bësh roman’, e tjetrin mund ta shkurtosh. Por nuk ndodhi asgjë nga ajo që unë paragjykoja. Më shikonte i heshtur, që më në fund të më tregonte se libri im do botohej dhe se isha tregimtar i mirë. Unë mezi që përmbahesha nga gëzimi i papritur që më pushtoi. Posaçërisht asokohe kur posa i isha kthyer të shkruarit shqip.

Dhe para se të ndaheshim, ai doli të më përcillte deri te ashensori. Si për dreq, ashensori vonohej e vonohej, gjë që më bënte të ndjehesha keq, e që më çoi ta lusja të kthehej në zyre e të mos humbiste kohë duke pritur me mua. Dhe atëherë ai tha fjalët që asokohe, a edhe gjithmonë pastaj, do kishin madhështinë e ‘çmimit’ që për veprimtarin letrare merret vetëm njëherë në jetë dhe që asnjë tjetër nuk do mund ta tejkalonte – “Unë ty të kam pritur njëzet vite me radhë!” Gjatë tërë rrugës prej Prishtine deri në Shkup, dëgjoja jehonën e fjalëve të tij. Fjalë që më çuan t’ia pranoja vetes se ish bërë shkrimtar! Në të vërtet, që nga ajo ditë, unë fillova t’i përkushtohem krijimtarisë letrare, duke u kujdesur të mos e tradhtoja besimin e atij që për mua, ishte dhe mbeti maja e tregimit shqiptar.

Që nga ai takim me Anton Pashkun, e gjer më sot, kanë kaluar shumë vite. Siç kaluan edhe vitet kur merresha me shitjen e librave dhe kur një nga blerësit, i përballur me kompletin prej dhjetëra libra të një autori, tha: Si u shkruakan një metër libra!? Dhe që atëherë, sa herë që dëgjoj të flitet për botimin e vrarave të plota të ndonjë autori, më rikujtohen këto fjalë të largëta nga e kaluara, e që më çojnë të ndjej refuzim ndaj kompleteve prej ‘një metër libra’.

Gjithashtu, kur dëgjoj të flitet për botimin e kompletit të veprave letrare të ndonjë autori, sërish më rikujtohet Anton Pashku dhe viti 1986, kur Sh.B. ‘Rilindja’ kishte botuar kompletin e veprave të tij letrare. Komplet të cilin ai ma dhuroi, e që edhe sot e kësaj dite, është më i çmuari në bibliotekën time. Komplet që përbëhet nga tre vëllime: ai me drama, me tregimet dhe romani ‘Oh’.

E theksoj numrin e vëllimeve të këtij kompleti sepse që nga fillimet e mia letrare, e deri më sot, i kam mbetur besnik bindjes se shkrimtari mund të shkruaj dy – tre libra të mirë. Andaj, si i tillë, tre vëllimësh, kompleti i veprave të Anton Pashkut, mbeti ‘modeli’ i ëndërruar i kompletit të ardhshëm të veprave të mia. E që më çoi ta lusja botuesin e sotëm të librave të mi që gjithë ato t’i përfshinte në sa më pakë vëllime dhe t’i shtypte në letër sa më të hollë, që të mos dukej se kisha shkruar ‘një metër libra’! Gjë të cilën ai e realizoi dhe që dëshmon edhe diçka përtej këtij botimi luksoz, diçka që shpalosë përkushtimin dhe dashurinë që Shtëpia Botuese ‘Logos – A’ ia dhuron librit: se shkrimtar me fat është ai që ka përkrahjen e botuesve të mirë, siç e kisha unë në të kaluarën nga të gjithë botuesit që botonin librat e mi dhe siç e kam sot nga Sh.B. ‘Logos-A’, me në krye Adnan Ismailin.

Në fund të them atë që duhej thënë në fillim: kompleti i veprave të mia vjen në kohë kur çmohet dhe mbisundon ‘arti’ i hajdutërisë dhe i grindjeve politike. Dhe kur mund të botosh libër vetëm nëse ke para, apo nëse ke mbështetjen e ndonjë burrështetasi tanë. E për të botuar kompletin e veprave, duhet të kesh pas vetes ndonjë nga ministritë tona të kulturës dhe të jesh i përkëdheluri i pushtetmbajtësve. Pra duhet të jesh ‘shkrimtar i oborreve’ pushtetar e partiake.

Prandaj të duket disi e pabesueshme kur përballesh me botues privat si ‘Logos-A’, të cilët i janë përkushtuar librit dhe aq më shumë, që botojnë komplete veprash. Botues që të bëjnë të mburresh me ta dhe të cilët, me dashurinë dhe përkushtimin që ia dhurojnë librit, atij ia japin edhe një dimension tjetër si vlerë artistikë – atë se ne dimë dhe mundemi! Botues ku pasqyrohet e vërteta se do i përballim edhe këto kohë kur uria për lexim e dituri nuk është as e përafërt me atë për të ngrënë, për çka edhe ndodh që në çdo lagje të kemi nga dy tre restorante e bastore, e në tërë qytetin të mos kemi asnjë librari apo bibliotekë. Siç do e përballim edhe marrëzinë politike që e solli me vete votimi ynë i papërgjegjshëm i partiakëve të cilët, të vetmin libër që e kanë lexuar dhe që e shfletojnë nga dy-tre herë në ditë, është menyja e restoranteve dhe kafeneve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme