Simiq: Kthimi i Listës Serbe në Qeveri dhe Kuvend në këto momente nuk ka kuptim

E enjte, 20 Tetor 2016  –  Sakte.net

Lista Serbe nuk do të kthehet në institucione të vendit, përderisa përfaqësuesit e tyre vazhdojnë të injorohen nga partneri i koalicionit, konsideron shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

 Ai thotë se partneri i koalicionit qeverisës duhet të reflektojë.

Shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, në një bisedë dhënë Radio Kosovës, nuk e sheh problem kthimin në institucionet e vendit. Por, ai thotë se kthimi në këtë moment nuk ka as kuptim.

“Para se gjithash nuk është problem që Lista Serbe të kthehet në Kuvendin e Kosovës, në komisione parlamentare e po ashtu edhe në Qeveri. Problemi kryesor është – nëse kthimi ka kuptim! A ka kuptim kur ligjet dhe proceset bëhen pa konsultimin e Listës Serbe, të komunitetit serb, dhe të përfaqësuesve politikë serbë “

Simiq thotë se ata u injoruan. “Nëse dikush edhe me tutje mundohet të mos e përfill komunitetin serb dhe nëse edhe më tutje veprohet kësisoj, atëherë nuk ka kuptim që t’u kthehemi institucioneve”, tha shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, për televizionin publik.

Megjithatë, ai shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me partnerët e koalicionit qeverisës.

“Pra, presim që partnerët tonë të koalicionit të reflektojnë, të kenë mirëkuptim ndaj neve dhe të bisedojmë në mënyrë konstruktive, t’i dëgjojnë idetë  tona në mënyrë që të miratojmë ligje dhe të ratifikojmë çdo marrëveshje dhe unë me këtë rast dua t’ju bëjë me dije se që nga momenti i konstituimit të Parlamentit të Kosovës, 95 % e ligjeve që janë miratuar, janë miratuar  edhe me pjesëmarrjen e deputetëve tonë.

Simiq thotë se Lista Serbe është unike në qëndrimet dhe vendimet e saja.

“Unë nuk jam pjesë e Qeverisë,  megjithatë ju garantoj se, përfaqësuesit politikë serbë në Qeveri dhe deputetet e Listës Serbe janë njëzëri në qëndrime kur është në pyetje për të tejkaluar çdo problem që ndodh”.

Simiq deklaroi se dëshiron që përmes dialogut të gjendet zgjidhja e cila do t’i kthejë në institucione.

“Ne duam që të jemi pjesë konstruktive e Qeverisë dhe Kuvendit, në mënyrë që të ndërtojmë raportet reciproke,  pra, ne duam të ndërtojmë të ardhme” ka përfunduar shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.