Sipas Trajkoviqit, ndarja e Kosovës nuk mund të bëhet sa të jetë e kontrolluar nga NATO

Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, deklaroi se “e vetmja arsye” për nxitjen e dialogut të pushtetit me opozitën në Serbi ka për qëllim që edhe mbi opozitën të bie një pjesë e përgjegjësisë në rast të heqjes së Kosovës (e Metohisë – siç e quan

Beogradi Zyrtar Republikën e Kosovës, v.j) nga preambula e Kushtetutës së Serbisë.

“Përfshirja e opozitës në përgjegjësinë rreth heqjes së Kosovës e Metohisë nga preambula e Kushtetutës së Serbisë” është “e vetmja arsye pse ndërmerret dialogu”, i tha Rada Trajkoviq agjencisë serbe të lajmeve, FoNet, transmeton Koha.net.

Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ka opozitë në parlament e cila në thelb i nevojitet që të mund të ndryshojë Kushtetutën, kur është fjala për heqjen e Kosovës nga preambula.

Sipas fjalëve të saj, kjo është e vetmja çështje që pritet të bëhet nga Vuçiqi, meqë ai “të gjithë elementet e brendshme të pavarësisë së Kosovës tashmë i ka rregulluar”.

“Në vështrimin juridik, Vuçiq duke shkelur Kushtetutën e Serbisë ka kryer bartjen e pronës së Serbisë në institucionet e Kosovës. Kosovës ia ka dhënë edhe pavarësinë e brendshme në kuptim të kompletimit të pushtetit ligjdhënës, gjyqësor dhe të pushtetit ekzekutiv”, është shprehur Rada Trajkoviq.

Ajo ka shtuar se Serbisë si shtet tash i ka mbetur vetëm nënshkrimi i dokumentit juridikisht detyrues që në fakt vetëkupton Kosovën në Kombet e Bashkuara.

Në lidhje me mesazhin e vendeve të Quiuntit rreth vazhdimit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe nënshkrimit të marrëveshjes detyruese, Rada Trajkoviq ka thënë se mendon që mesazhi i tyre u është drejtuar në radhë të parë liderëve të Kosovës, e më pak Beogradit, meqë Vuçiq “në aspektin politik e juridik shumë çështje tashmë i ka kryer”, përcjell Koha.net.

Sipas fjalëve të saj, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dëshironte të përcjell mesazhin se pas Ramush Haradinajt dhe liderëve të tjerë të Kosovës nuk qëndron asnjë nga vendet e Quintit, porse kanë qëndrim identik – Kosova duhet të heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe që kështu faktikisht të zhbllokojë procesin negociator.

Në lidhje me idenë e ndarjes me kufi, Rada Trajkoviq ka thënë se “argumenti kryesor dhe thelbi i çështjes është se sipërfaqja të cilën e kontrollon NATO nuk mund të ndahet nëse edhe pjesa tjetër e Serbisë nuk është në NATO”.

“Territori i Kosovës dhe Metohisë nuk mund të shkojë jashtë asaj që nënkupton territorin që e kontrollon NATO. Korrigjimet e vetme, ndoshta, minimale mund të përfitohen përmes projektit që nënkupton NATO-n në gjithë territorin dhe në pjesën tjetër të Serbisë” (siç shprehet Rada Trajkoviq.

Po sipas saj, kjo është diçka që do ta fusë Vuçiqin në probleme me përpjekjet gjithnjë e më të fuqishme të Rusisë që të ndikojë në politikën e Serbisë në kuptim të refuzimit të hyrjes në NATO.

“Nga ana tjetër, NATO ka hyrë në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut. Aktualisht po punohet për BeH, kjo mbetet të shihet se cili do të jetë fati i Millorad Dodikut, a do të jetë ai lideri që do ta fudë BeH në rrugën për në NATO”, është shprehur Rada Trajkoviq, transmeton Koha.net.

Lini Një Koment