Skandali i Këngës Magjike, reagon Ardit Gjebrea

Lajmi që qarkulloi gjatë ditës së djeshme në pothuaj të gjitha mediat dhe portalet për “skandalin” e Këngës Magjike, pasoi me shumë reagime. Fillimisht ishte Lajmi.net që publikoi listën e pikëve përfundimtare, sipas së cilës këngëtari nga Maqedonia, Berkan, u bë pjesë e finales, edhe pse nuk kishte mbledhur pikët e nevojshme nga kolegët për të qenë finalist.

Këngëtari që qëndronte në vendin e 21-të ishte Devis Xherahu, ndërsa Berkani renditej i 33-i, ndaj finalja nuk i takonte atij. Por e vërteta, me sa duket, qëndron shumë larg. Për të njëjtin burim, Berkani dha shpjegimin e tij për pjesëmarrjen në finale dhe për çmimin.

Megjithatë, ai që i vë vulën dhe shpjegon se kjo është një praktikë që ndiqet prej 15-vjetësh është producenti i festivalit, Ardit Gjebrea. Në një prononcim për revistën Who, Gjebrea ka sqaruar se kjo praktikë nuk është hera e parë që ndiqet në Kënga Magjike – edhe në edicionet e mëparshme, çmimet e televizioneve Klan dhe RTV21 i kanë marrë emra që jo domosdoshmërish i kanë mbledhur pikët e nevojshme për të mbërritur në finale. Një rast i tillë ka qenë ai i këngëtares Big Mama dy edicione më parë, e cila është shpallur gjithashtu fituese e çmimit RTV21 apo i Shpat Kasapit një vit më parë: “TV Klan dhe RTV21 mund të zgjedhin për finalen (njësoj siç bëri edhe juria “New Artist” këtë vit) cilindo nga artistët që ata mendojnë. Ka 15 vite që ndodh kështu. Herë e kanë zgjedhur nga ata që kanë votuar artistët për finale, e herë jo”, – thotë Gjebrea për Who.

“Nëse memoria nuk mban as edhe 1 vit, të paktën investigimi të jetë ndonjëherë pjesë e punës. Sa qesharake kur sheh njerëz që bërtasin: E gjetaaaaa! Ndërkohë që ka 15 vite që është aty”, – thotë producenti duke e mbyllur me kaq “lajmin e ditës”.