Skandaloze: Kryeinspektori pa mandat i AKI-së kundërligjshëm shfrytëzon ende privilegjet zyrtare

Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjanit, i ka përfunduar mandati në fund të muajit shkurt të këtij viti. Por, përkundër përfundimit të mandatit, ai ende po i gëzon krejt privilegjet e pozitës në krye të së cilës po vazhdon të jetë pa mandat ligjor.

Sopjani, siç mësohet nga burime brenda këtij institucioni, momentalisht gjendet me trajnime në Qendrën e Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani.

Kjo nuk është hera e vetme që ai po ndjek trajnime në këtë qendër për zhvillim personal, sepse edhe në të kaluarën, duke e shfrytëzuar pozicionin zyrtar, ai ka ndjekur disa herë trajnime të ndryshme. Madje, në të shumtën e rasteve edhe duke e lënë të zbrazët pozicionin e ndjeshëm të Inspektorit të Përgjithshëm në AKI.

Megjithatë, kësaj radhe, ai po i ndjek trajnimet pa mandat ligjor, transmeton Periskopi.

Kujtojmë që me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë, Sopjani ishte dekoruar edhe si punëtor i zellshëm nga drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, siç mësohet duke u shpërblyer edhe me mjete financiare.

Drejtori i këtij institucioni dhe Inspektori i Përgjithshëm emërohen nga Presidenti dhe Kryeministri i vendit, prandaj si të tillë dytë këta janë të barabartë dhe nuk mund ta shpërblejnë me çmime dhe dekorata njëri-tjetrin.

Ky veprim ishte tërësisht edhe në konflikt të interesit, kur dihet që roli i inspektorit është përkujdesja për disiplinën e brendshme të AKI-së, përkatësisht hetimi, auditimi dhe inspektimi i brendshëm i këtij institucioni.

Po ashtu, mësohet se Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së po vazhdon t’i shfrytëzoj ende kundërligjshëm edhe privilegjet e tjera, përfshirë këtu edhe zyrën në AKI, logjistikën dhe stafin.

Periskopi ka bërë përpjekje që të mësojë zyrtarisht nëse Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së e ka bërë dorëzimin zyrtar të detyrës, duke pyetur në Presidencë, Kryeministri dhe AKI, por ende nuk ka marrë përgjigje rreth kësaj çështjeje.

Lini Një Koment