SlumdogMillionaire-ët tanë

E shtune, 29 Tetor 2016  –  Sakte.net

Opinion nga Adriatik Kelmendi

Ne shohim çdo ditë para syve mjerimin duke ndodhur – dhe heshtim. Kjo situatë sa flet për abuzuesit kriminelë që detyrojnë fëmijët të bëhen lypsarë, aq flet edhe për secilin prej nesh. Jemi bashkëfajtorë!

ARBENI DHE Gëzimja, që të dy, ndodhen në të njëjtën kohë në vendin e tyre të punës.
Vendi i tyre i punës është udhëkryqi i Prishtinës, pranë Universitetit dhe Katedrales.

Shkaku përse ata ndodhen pikërisht në atë vend është se bëhet fjalë për një prej nyjave me qarkullimin më të madh të njerëzve dhe automjeteve në gjithë vendin.
Arbeni është polic. Rreth 35 vjeç. Ka të veshur uniformën e kaltër të mbyllët të Policisë së Kosovës. Në krah ka stemën identifikuese të vendit për sigurinë e të cilit angazhohet.

Gëzimja është lypëse. Vështirë t’i ketë mbushur 10 vjet. Është e veshur me një bluzë të gjelbër dhe xhinse të ndotura. Shenja e saj identifikuese është dora e shtrirë dhe fjalia “ami 50 centë”.
E çuditshmja është se prania e njërit prej tyre do të duhej të pamundësonte atë të tjetrit në të njëjtin vend, ose anasjelltas.
Mirëpo, kjo pamje duket se ilustron më së miri raportin e sundimit të ligjit në Kosovë.

JANË NJË NUMËR i shkeljeve të rënda të ligjeve dhe të të drejtave të njeriut, ose më shkurt – krime, të cilat shihen nga të gjithë çdo ditë të lume në një ndër pikat më frekuentuese të shtetit. E tmerrshmja është se shteti mbyll sytë e qytetarët e shtetit nuk e vërejnë.
Dhjetëra fëmijë krejt të njomë janë të detyruar të lypin lëmoshë. Asnjë fëmijë i moshës së tyre nuk do ta bënte këtë “punë” me vetëdëshirë. Ata janë të detyruar të bëhen lypsarë ose për shkak të shefave të tyre, të cilët i sjellin në mënyrë të organizuar, ose nga familjarët që i abuzojnë.

Shumica e tyre janë nga Shqipëria ose të komuniteteve rome, egjiptiane ose ashkali. Herë pas here në lajme kemi parë raporte për ndërhyrjen e policisë për të hequr lypsarët, për të ndëshkuar ose dëbuar padronët e tyre. Mirëpo, ata të nesërmen janë parë sërish, në të njëjtat vende, duke bërë veprimet e njëjta. Rezultati i bie të ketë qenë zero.
A ka arsyetim? Natyrisht se s’ka. Realiteti është i vrazhdë – fëmijë të abuzuar në sy të botës.

Kosova, si shtet, është nënshkruese e Konventës së të Drejtave të Fëmijëve të OKB-së, që flet për ruajtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror e moral, por me fëmijët lypsarë na e dëshmon në praktikë se sa e respekton.
Fëmijët lypsarë janë po ashtu viktima të trafikimit me qenie njerëzore, meqë në masë të madhe udhëhiqen dhe transportohen në mënyrë të organizuar nga një vend në tjetrin.
Jo rrallëherë janë zbuluar raste të abuzimit seksual të tyre.
Teksa prania nëpër udhëkryqe rrezikon si shëndetin e tyre ashtu edhe sigurinë e përgjithshme në komunikacion.
Si munden të gjitha këto shkelje kriminale të ndodhin në të njëjtin vend ku punon një polic?

PËR TË QENË ky fenomen edhe më shqetësues, duhet parë se fare pak pjesëtarë të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës merren me këtë fenomen.
Deri më tash është hartuar aty-këtu ndonjë raport i dobët i ndonjë organizate joqeveritare, i cili për nga niveli lë përshtypjen që më tepër është bërë për të arsyetuar fondin e dhënë nga donatori sesa për ta trajtuar dukurinë.

Në media këto raste trajtohen kryesisht në ditët kur nuk ka tema “të mëdha” dhe në mënyrë sipërfaqësore.
E njëjtë qëndron puna edhe në instancat shtetërore. Kosova nuk ka një strategji kombëtare për t’u marrë me abuzimin e fëmijëve për nevoja të përfitimit material. Në këtë aspekt ka dështuar në të gjitha hallkat e funksionimit.
Arbeni e Gëzimja s’kanë se si të punojnë pa bezdi pranë njëri-tjetrit.

Ne shohim çdo ditë para syve tanë mjerimin duke ndodhur – dhe heshtim.
Kjo situatë sa flet për abuzuesit kriminalë që detyrojnë fëmijët të bëhen lypsarë, aq flet edhe për secilin prej nesh.
Jemi bashkëfajtorë!
Danny Boyle s’do të kishte nevojë të udhëtonte deri në Indinë e largët për ta bërë vazhdimin e filmit të tij fitues të “Oscarit”. “SlumdogMillionaire”-in e gjen brenda Evropës – te ne!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme