Spanja nuk ndryshon qëndrim, i premton Serbisë se nuk do ta njoh Kosovën

Ambasadori i Spanjës në Beograd, Miguel Fuertes ka thënë se Madridi zyrtar nuk e ka njohur Kosovën dhe këtë qëndrim do ta mbajë edhe në të ardhmen.

“Spanja do të vazhdojë të mbështes parimet e të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Fuertes pas një takimi me drejtorin e Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq.

Ai ka theksuar se Serbia mund të llogaris në Spanjën pasi kjo e fundit synon të zhvillojë dhe intensifikojë bashkëpunimin.

Sipas Gjuriq, duke e mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, Spanja mbështet parimet universale të së drejtës ndërkombëtare, e drejtë kjo që ka për synim të sigurojë paqen, barazinë dhe sundimin e ligjit mes vendeve dhe popujve.

“Jam shumë i lumtur që sot  punojmë në projekte të përbashkëta për të mbështetur studentët tanë në Kosovë”, ka thënë ai në konferencë pas takimit me studentë serb të Mitrovicës.

Gjuriq shtoi se Serbia nuk do të harrojë kurrë miqësinë e Spanjës në kohë të vështira për Serbinë si dhe mbështetjen që jep në çështjet kyçe të interesave shtetërore dhe kombëtare.