Stoltenberg thotë se policisë së Kosovës nuk i duhet leje që të shkojë në veri

Sekretari i përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenberg, thotë se situata e përgjithshme në Kosovë është e qetë, kjo pasi siç tha ai, se së fundi ka pasur tensione të ngritura. Ai ka bërë thirrje për përmbajtje të të dyja palëve derisa sipas tij, policisë së Kosovës nuk i duhet leje që të shkojë në veri.

“Duhet të ketë dialog e jo retorikë nxitëse, prandaj gjithsesi se duhet shmangur tensionet”, tha ai duke shtuar se çfarëdo zhvendosje e FSK’së në veri duhet lajmëruar NATO.

Sa i përket  shkuarjes së Policisë së Kosovës në veri, Stoltenberg tha se për këtë nuk kërkohet leje nga KFOR’i apo NATO.

“Policia e Kosovës mund të operojë në tërë territorin e Kosovës dhe për këtë vendosin institucionet e Kosovës apo Prishtina zyrtare, pra është çështje që u takon institucioneve të Kosovës. Mirëpo, tashmë kemi një situatë stabile dhe duhet të respektohen marrëveshjet e Brukselit që të kemi një rajon të qetë”, tha Stoltenberg për RTK’në.

Se çfarë detyre ka KFOR’i nëse futet dikush në Kosovë, Stoltenberg tha se, me rendësi është që të  eliminohet retorika e tensioneve nga të dyja palët.

“NATO është këtu për ta mbrojtur paqen, këtu është një situatë stabile dhe duke e parë këtë situatë NATO ka zvogëluar edhe pjesëtarët e KFOR’it. Po ashtu dialogu politikë është kthyer në tavolinë, prandaj nuk duhet spekuluar me situata hipotetetike, nuk mund të futet asnjë ushtri në Kosovë pa lejen e NATO-s, prandaj popullata këtu duhet të ndihet e qetë”, ka thënë Stoltenberg.

Se a ka ardhur koha që FSK’ja, të bëhet ushtri, ai tha se NATO e ka përkrahur zhvillimin e FSK’së, dhe nëse mandati i saj ndryshon, atëherë edhe NATO duhet të ndryshojë së përkrahuri këtë dhe ta përkrah atë që krijohet në mënyrë tjetër.