Tahiri: Xhamia e Ibrit do të ndërtohet, Rakiq t’i respektojë ligjet e Kosovës

Ndërtimi i xhamisë në veri të lumit Ibër, ka nxitur pakënaqësi tek zyrtarët serb në Kosovë.

Ka qenë kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq ai i cili ka thënë se ministrja e Dialogut, Edita Tahiri nuk është e autorizuar për të vendosur për zgjidhjet urbane në veri të Kosovës, dhe sipas tij ajo nuk pyetet lidhur me atë se a do të ndërtohet dhe ku, xhamia në veri të Ibrit.

Lidhur me këtë deklaratë të Rakiq, ministrja Edita Tahiri ka thënë se ai duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Çështja e obligimeve shtetërore dhe e detyrave të secilit qeveritar qoftë në nivelin qendror apo lokal është çështje e shtetit të Kosovës dhe obligimeve për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës. Rakiq është kryetar i komunës i zgjedhur me votat e qytetarëve në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe duhet të sillet si i tillë”, ka thënë Tahiri për Telegrafin.

Ajo ka shtuar se sa i takon zhvillimeve në pjesën veriore të vendit çdo gjë duhet të bëhet duke respektuar në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Individët që janë në qeveri janë zyrtarë mirëpo qdo zyrtarë duhet ta di se kur e ka marrë detyrën e ka marrë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve, prandaj ky është obligim i Rakiq të respektojë ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën”, u shpreh Tahiri.

Ministrja ka theksuar se në vizitën e saj që pati në Mitrovicë me kryetarin Agim Bahtiri dhe kryetarin e Bashkësisë Islame të kësaj komune, Asllan Murati është diskutuar për heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit, si dhe ndërtimin e xhamisë së Ibrit. Tahiri theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie është i domosdoshëm dhe do të ndodhë.

“Rivitalizimi i urës së Ibrit është duke u vonuar nga BE, dhe meqenëse në afërsi të këtij plani është trolli i Xhamisë së Ibrit një xhami e kohërave të hershme që nga shek 17 dhe e cila për shkak të gjenocidit serb është shkatërruar, natyrisht se rindërtimi i saj është i domosdoshëm sepse me ligj i takon autoriteteve fetare dhe natyrisht që do të realizohet. Hapat ne i kemi përcaktuar në takim me kryetarin e Bashkësisë Islame të Mitrovicës, dhe u pajtuam që së pari duhet të hiqet barrikada dhe kur të përfundon ky proces ti hapet rruga edhe ndërtimit të kësaj xhamie”, theksoi ministrja./Telegrafi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme