Takimet shqiptaro-serbe: Koha kur Ibrahim Rugova ia ndaloi Fatos Nanos të fliste në emër të Kosovës (Video)

E martë, 18 Tetor 2016   –   Sakte.net 

Vizita e fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd ka trazuar opinonin dhe ka çuar “pluhur” të madh në skenën politike në vend.

Takimi Rama-Vuçiq në të cilin thuhet se u diskutua për raportet shqiptaro-serbe, ishte arsyeja kryesore që Edi Rama (edhe) u kritikua shumë në Kosovë.

Madje ndaj këtij takimi reagoi edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj i cili ka përjashtuar çfarëdo përzierje të Tiranës në raportet Kosovë-Serbi.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta kenë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-ja ose BE-ja. Prandaj, ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Ndërsa, çdo bashkëpunim që mund ta ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Por, takimet e tilla të udhëheqësve të Shqipërisë me ata të Serbisë, ku diskutohet çështja e Kosovës, kanë nxitur reagime edhe më parë – në kohën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Takimi që ishte mbajtur në mes Fatos Nanos dhe Sllobodan Millosheviçit në Kretë të Greqisë në vitin 1997, kishte nxitur reagimin e Ibrahim Rugovës i cili kishte thënë se askush nuk mund të flas në emër të Kosovës përveç lidershipit të saj.

Këto reagime të palës kosovare për takimin e shumëpërfolur në Kretë i kishte risjellë ish-kryediplomati i Shqipërisë Paskal Milo, në librin e tij, “Ditari i një ministri të Jashtëm”: Të pathënat për Konferencën e Rambujesë.

Milo në këtë libër ka treguar se takimi Nano-Millosheviç ishte i pari që bëhej pas 51 vjetësh që prej qershorit 1946, kur në Beograd ishin takuar zyrtarisht Enver Hoxha me Titon.

Ai tregon se ende pa mbaruar ky takim, pati reagime në Kosovë e Shqipëri.

“Qeveria e Kosovës dhe Ibrahim Rugova që më 2 nëntor kishin dalë me një deklaratë ku shprehej shqetësim, por edhe ankth për mundësinë e diskutimit të çështjes së Kosovës në këtë Samit dhe për mungesën e ftesës për udhëheqësit kosovarë për të marrë pjesë aty. Sigurisht që çështja e pjesëmarrjes nuk ishte e argumentuar, sepse Kosova nuk ishte shtet i pavarur dhe qeveria e zotit Bukoshi e panjohur nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Por shigjetimi kryesor në këtë deklaratë, qoftë pa e përmendur me emër, drejtohej kundër Nanos kur thuhej se “askush tjetër, përveç përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës, nuk ka mandatin dhe nuk mund të bisedojë në emër të Kosovës, apo të marrë përsipër zgjidhje të çfarëdolloj natyre për Kosovën”, thuhej në reagimet e Kosovës, të cilat i ka sjellur historiani Milo në librin e tij.

Milo më tej është treguar i ashpër ndaj qeverisjes së atëhershme të Shqipërisë lidhur me këtë takim kokë me kokë, duke theksuar se takime të tilla nuk mund dhe nuk duhej bërë midis dy njerëzve që përfaqësonin dy qeveri, dy vende e dy kombe që ishin në grindje e mosmarrëveshje historike, transmeton Telegrafi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme