Takimi Thaçi- Vuçiq në Paris, deputeti Xhelal Sveçla e përmend vrasjen e Esad Pashës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 11 nëntor të këtij viti në forumin e paqes në Paris, që organizohet nga presidenti i Francës, Emanuel Macron. Lidhur me këtë takim ku pritet të diskutohet rreth idesë së ndryshimit të kufjijve, ka reaguar deputeti Xhelal Sveçla. Ai ka kujtuar edhe vrasjen e Esad Pashës.

Lidhur me këtë takim Thaçi-Vuçiq, shkruan gazeta ‘Le Figaro’, sipas të cilët në këtë takim, do të konkretizohen synimet e të dy presidentëve, transmeton Gazeta Express.

Franca është njëra nga fuqitë e mëdha, e cila ka fuqi lobuese në Kombet e Bashkuara, dhe vlerësimi i saj për idenë e shkëmbimit të kufijve ka  rëndësi të madhe.

Lidhur me këtë takim që Thaçi pritet ta realizojë në Francë me Vuçiqn, ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla.

Sipas tij në këtë forum të paqes, do të marrin pjesë edhe organizata joqeveritare të cilat janë në përkrahje të idesë së Serbisë për ‘spastrim etnik’, e që sipas Sveçlës Thaçi këtë gjë po e prezanton si normalizim të raporteve Kosovë-Serbi.

“Çuditërisht mediat dhe pushtetarët shqiptarë nuk po flasin hiç për “Paris Peace Forum” (Forumin e Paqes së Parisit – https://parispeaceforum.org) që mbahet më 11-13 nëntor të këtij viti. Forumi ka në Bordin Drejtues përfaqësuesit e disa OJQ-ve ndërkombëtare që kanë dalë në mbështetje të idesë së Serbisë për “spastrim paqësor etnik” të shqiptarëve në Kosovë dhe Luginë të Presheves – atë që Thaçi po e prezanton si normalizim i marrëdhënieve me Serbinë. Në Forum janë ftuar disa udhëheqës politikë, e është i ftuar edhe Vuçiqi, i cili do pritet me respektet më të larta. Mediat Serbe e kanë prezantuar pjesëmarrjen e Vuçiqit si mundësi për të zgjidhur “problemin” e Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ai këtë konferencë që pritet të mbahet në Francë, e ka lidhur me Konferencën e Paqes.

“100 vite më vonë duan ta përsëritin në formën e një farse historinë tragjike të Konferencës së Paqes së Parisit, ku u nënshkrua Traktati i Versajës që i copëtoi tokat shqiptare. Neo-Nazisti që ka ideuar “alt-right” në ShBA, Richard Spencer, ka disa vite që flet për “spastrim etnik paqësor” në ShBA e në Evropë. I njëjti i është referuar Traktatit të Versajës si shembull i mirë i “spastrimit etnik paqësor”. Të njëjtin propozim për “spastrim etnik paqësor”, kësaj radhe për Kosovën dhe Luginën, e mbështeti dje në një artikull në New York Times edhe C.A.K që punon për OJQ-në “Council on Foreign Relation”, që është në Bordin e “Forumit të Paqes së Parisit”. Këta bëjnë sikur s’e dinë që ai traktat për “paqe” i dha hov nazizmit e fashizmit në botë, drejt Luftës së Dytë Botërore”, ka shtuar Sveçla.

Teksa ka rikujtuar historinë, Sveçla thotë se shqiptarët ishin ngritur për ta kundërshtuar ‘spastrimin’ e shqiptarëve, ndërkohë kujton edhe vrasjen e Esad Pashës nga Avni Rrustemi.

“Por shqiptarët e dinë shumë mirë se si u realizua spastrimi “paqësor” etnik i kombit tonë, në majë të bajonetave, gjatë Konferencës së Paqes së Parisit para një shekulli. Për t’i kundërshtuar vendimet e asaj konference, shqiptarët mbajtën Kongresin e Lushnjes, e rrëzuan qeverinë kolaboracioniste të Durrësit, rrokën armët e luftuan për lirinë e popullit në trevat shqiptare, dhe Avni Rrustemi e vrau Esad Pashën në Paris”, ka përfunduar Sveçla./

 

Lini Një Koment