Të burgosurit në Kosovë e sakatojnë buxhetin e shtetit, mish, perime e çaj për çdo ditë

Rreth 840 euro është shuma e parave që i harxhon shtetit një i burgosur për çdo muaj. Kjo shifër arrin deri në 10 mijë e 80 euro në vit për një të burgosur. Sipas një përllogaritjeje për të gjithë të burgosurit, shteti më i varfër në rajon harxhon për një vit më shumë se 15 milionë euro. Ndërsa në tri vjetët e fundit janë shpenzuar afër 50 milionë euro nga kuleta e shtetit, shkruan Gazeta Express.

Jeta në burgjet e Kosovës më shumë i ngjan jetës që bëhet nëpër hotele. Tri herë në ditë mish, pemë, perime dhe lëngje nga frutat e çaja të ndryshëm, është menyja ditore më të cilën të burgosurit në vend ushqehen çdo ditë.

Për gjithë këto nevoja, një i burgosur i kushton shtetit rreth 840 euro në muaj, shifër që në fund të vitit arrin deri në 10 mijë euro, shkruan Gazeta Express.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), kanë thënë se aktualisht prapa grilave janë 1 mijë e 569 persona. Prej tyre janë 48 gra.

Zyrtari për Informim në SHKK, Jeton Kabashi, i ka thënë Gazetës Express se shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë në rreth 28 euro në ditë.

“Shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë rreth 28 euro në ditë, ndërsa shpenzimet mujore apo vjetore varen nga pranimet apo lirimet e të burgosurve”, ka thënë Kabashi.

Por, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.

E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro.

Të gjithë këta të burgosur ushqehen tri herë në ditë. Kabashi thotë se menyja ditore u ndërrohet çdo muaj. Por, ata gjithëherë ushqehen nga produkte të mishit, pemë, perime dhe çaja.

“Nëpër burgje ekziston menyja ditore e cila ndërrohet çdo muaj, ku të burgosurit ushqehen tri herë në ditë me ushqime të ndryshme  nga produktet e mishit , me peme e perime, lëngje nga frutat e çaja të ndryshëm”, thuhet në përgjigjet e Kabashit drejtuar Gazetës Express.

Për numrin e madh të shpenzimeve për të burgosur kishin reaguar edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në këtë institucion kishin kërkuar që numri i të paraburgosurve të ulet dhe gjykatat të mos caktojnë këtë masë për çfarëdo rasti. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të kursehej edhe buxheti i shtetit.

“Ne si KMDLNJ kemi kërkuar që paraburgimi të jetë si masë e skajshme, pikërisht që të kursehet buxheti i Kosovës, sepse në qoftë se një i paraburgosur nuk ka rrezik të ikë, atëherë nuk e dimë pse do të duhej të mbahej në burg”, kishte thënë Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.

Në Kosovë, sipas tij, numri i të burgosurve të punësuar është shumë i vogël dhe për këtë arsye është edhe shumë më e kushtueshme të mbahet një person i privuar nga liria sesa në vendet tjera.

Caktimi i paraburgimit si masa më e skajshme e sigurisë për një të dyshuar ose për një të akuzuar i ka kushtuar edhe buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Vetëm vitin e kaluar KGJK-ja ka ndarë nga buxheti i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave, të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe pas vendimit të gjykatës janë shpallur të pafajshëm.

Ndërkohë, Kabashi ka thënë se numri më i madh i këtyre personave janë të arrestuar për vjedhje, vrasje e plaçkitje. Nuk mungojnë edhe personat që janë duke e vuajtur dënimin për dhunim, plagosje e drogë.

Vetëm për vjedhje në vuajtje të dënimit janë 254 persona, gjersa mbi 50 të tjerë gjenden në paraburgim.

“Në kuadër të institucioneve korrektuese për momentin janë duke vuajtur dënimin për veprat penale të vjedhjes 254 persona, ndërsa po për këto vepra në paraburgim për momentin ndodhen gjithsej 51 persona”, kanë thënë nga SHKK-ja, ditë më parë për Gazetën Express.

Aktualisht, dënimi më i lartë i cili vuhet nëpër burgjet e Kosovës është ai me 40 vjet heqje lirie.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme