Tel-Avivi, nikoqir i “Eurovisionit” në vend të Jerusalemit

Gara e “Eurovisionit” ka përzgjedhur Tel-Avivin si nikoqir të edicionit të vitit të ardhshëm, me gjithë faktin se Qeveria e Izraelit më parë kishte deklaruar se ngjarja do të zinte vend në Jerusalem, thuhet në shkrimin e The Guardian, që e transmeton sot “Koha Ditore”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dashur që gara ndërkombëtare e muzikës të mbahet në qytetin e shenjtë si pjesë e kampanjës qeveritare për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i vendit.

Izraeli këtë vit fitoi garën me artisten Netta Barzilai, e cila bëri edhe beatbox e vallëzoi si pulë, duke i siguruar vendit të saj që të jetë nikoqir për vitin 2019.

Bordi ekzekutiv i këtij “Eurovisionit”, që shikohet nga 200 milionë njerëz në vit, ka thënë se transmetuesi publik i Izraelit, “Kan”, po ashtu paraqiti Jerusalemin dhe portin e qytetit “Eliat” si vende potenciale ku mund të mbahet festivali.

“Të gjitha ofertat ishin të mrekullueshme, por në fund vendosëm që Tel-Avivi ofron kushte shumë më të mira për ngjarjen më të madhe të muzikës në botë”, ka thënë Jon Ola Sand, mbikëqyrësi ekzekutiv i “European Broadcasting Union” (EBU), i cili e sponsorizon garën.

“‘Eurovisioni’ përshtatet shumë mirë me qytetin tonë, i cili ndërkombëtarisht është vlerësuar për energjinë, shpirtin kreativ, skenën e gjallë kulturore dhe festimin e lirisë”, ka thënë Ron Huldai, kryetar i Tel-Avivit.

Kjo ngjarje zakonisht mbahet nëpër kryeqytete, por pretendimi i Izraelit për Jerusalemin si të tillë nuk njihet ndërkombëtarisht dhe shumica e fuqive botërore duan që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje paqësore. Forcat izraelite pushtuan pjesën perëndimore të Jerusalemit nga trupat e Jordanisë në vitin 1967 dhe palestinezët e konsiderojnë si kryeqytetin e tyre të së ardhmes.

Sidoqoftë, Jerusalemi ka qenë nikoqir i “Eurovisionit” dy herë në të kaluarën. Për herë të parë në vitin 1979 dhe prapë në vitin 1999 pasi Dana fitoi me këngën “Diva”, dhe u shndërrua në heroinë kombëtare. Në Izrael, kjo çështje u bë pikë kyç në mesin e politikanëve, derisa kulmoi me ministrin e Kulturës, Miri Regev, i cili tha se gara nuk duhet të mbahet në qoftë se nuk zë vend në Jerusalem. Po ashtu kishte frikë se hebrenjtë ultraortodoksë do të ndërprisnin ngjarjen nëse ajo do të mbahej gjatë shabatit kur qyteti mbyllet.

Mediat izraelite kanë raportuar se EBU-ja ka kërkuar nga Qeveria që të premtojnë dhe sigurojnë hyrjen për të gjithë njerëzit pavarësisht bindjeve të tyre politike apo fetare. Në njoftimin e së enjtes, kryetari i komitetit ekzekutiv të “Eurovisionit”, Frank-Dieter Freiling, dërgoi të njëjtin paralajmërim.

“Ne po presim të marrim garanci nga kryeministri këtë javë sa u përket sigurisë, qasjes për pjesëmarrje për të gjithë, liri të shprehjes dhe të na sigurojnë natyrë jopolitike të garës”, ka thënë ai. “Këto garanci janë të domosdoshme në mënyrë që të ecim përpara me planifikimin e ngjarjes dhe të mbështesim vlerat e garës së këngës për diversitet dhe gjithëpërfshirje”, ka shtuar ai.

Finalja e “Eurovisionit” do të mbahet më 18 maj në vitin 2019.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme