Thaçi e Haradinaj ftohen për pajtim në kullat e Junikut

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, i ka bërë ftesë për takim ‘në Junikun e Kuvendeve dhe Pajtimeve të mëdha historike’ presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, me qëllim të siç ka thënë ai, heqjes së dallimeve dhe unifikimit të qëndrimeve për dialogun dhe kufijtë e Kosovës karshi Serbisë.

Kuçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dallimet e shprehura ditëve te fundit në lidhje me kufinjtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga ana e Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj nuk i bëjnë nder asnjërit prej tyre”.

Postimi i plotë i Kuçit:

“Dallimet e shprehura ditëve te fundit në lidhje me kufinjtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga ana e Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj nuk i bëjnë nder asnjërit prej tyre, përkundrazi dëmtojnë qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës, njekohësisht i bëjnë favore diplomacisë agresive hegjemoniste të Serbisë.

Prandaj, në kuptim të heqjes së dallimeve dhe unifikimit të qëndrimeve për dialogun dhe kufinjtē e Kosovës karshi Serbisë e ftojë mikun tim Presidentin e Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Partisë sime (AAK-ë), Kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj në takim në Junikun e Kuvendeve dhe Pajtimeve tē mëdha historike !!”, ka shkruar Kuçi.

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, është nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lini Një Koment