Thaçi e Vuçiq e dinë që kufijtë nuk ndryshojnë, por ky është qëllimi i tyre

Deputeti gjerman, Josip Juratoviç, ka thënë se presidenti Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq e dijnë që nuk do të ketë ndryshim të kufijve, megjithatë sipas tij ata po e paraqesin këtë ide në përpjekje e sipër për të shpëtuar politikat e tyre të dështuara. Këto deklarime Juratoviç i ka bërë në një intervistë për DW.

DW: Juratovic, bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës duket se kanë ngecur, pas propozimeve të ardhura nga Vuçiq e Thaçi për ndryshim kufijsh.

Josip Juratoviç: Që këto bisedime kanë ngecur në vend, kjo nuk më çudit fare. Ishte e qartë që në fillim që propozimi i ndryshimit të kufijve ishte një nismë që nuk do të realizohej. Këtë e dinin edhe aktorët që e propozuan, por ata donin të krijonin përshtypje sikur po kërkonin zgjidhje.

DW: Zonja Merkel e patë kritikuar propozimin e Vuçiqit për ndryshimin e kufirit, cili është qëndrimi i grupit tuaj parlamentar?

Ne mendojmë njësoj. Nuk jemi për ndyshim kufijsh në Europë, sepse pasojat do të ishin fatale. Në Bosnjë-Hercegovinë që tani po gëzohen disa për ndryshime kufijsh. Edhe Maqedonia mund të ishte në rrezik dhe, nëse do të ishte një akt i ligjshëm, do të lindte pyetja se çfarë do të ndodhte me Ukrainën, me Krimenë e kështu me radhë. Nëse do t’i lejonim të gjitha grupimet separatiste që të vinin kufij të rinj, do të kishim 40 shtete të tjera në Europë. Mund ta merrni me mend se çfarë do të ndodhte. Sigurisht që do të kishte shumë më tepër konflikte. Kjo është njëra çështje. Çështja tjetër është legjitimiteti: Kush po e bën këtë? As Kosova, as Serbia nuk janë shtete presidenciale. Pra, kemi dy presidentë, që po bien në ujdi si në feudalizëm, kur takoheshin princët me vasalë dhe këmbenin territore. Kjo nuk mund të merret seriozisht në shekullin e 21-të. Ne duhet të forcojmë demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe të përpiqemi që të dy vendet të venë në jetë kapitujt e parashikuara nga BE, sidomos kapitullin 35 që kërkon mosndryshimin e kufijve. Pra, pavarësisht se kush e solli këtë ide, për mua ajo nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të shpëtuar erzin e dy politikave të dështuara, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

DW: Si do ta shpjegonit ju që disa politikanë janë dashamirës ndaj idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse palët bien dakord me njëra tjetrën?

E kuptoj që në rrethanat aktuale të politikës botërore ndokush mund ta ketë humbur durimin. Por jam i mendimit se kjo është absolutisht rruga e gabuar. Nëse duam me të vërtetë demokraci në këto vende, pra, nëse duam shoqëri, ku në radhë të pare janë të drejtat e njeriut, nëse duam t’i bëjmë qëndresë avancimit të autokratëve dhe autokracive në Europë, atëherë nuk mund të jemi dakord me një gjë të tillë. Nga jashtë duhet të dërgojmë sinjale të qarta se nacionalizmat që kanë zënë vend në Ballkain Perëndimor janë shkaku i mjerimit të atjeshëm, ku 30% e të rinjve janë të papunë. Ajo lloj politike do të legjitmimonte të ashtuquajturat „spastrime etnike”, që kanë ndodhur gjatë luftrave. Ne duhet ta bëjmë të qartë se për cilat vlera jemi: demokraci, të drejtat e njeriut. Përndryshe do të jetë në rrezik demokracia jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Europën.

DW: Si do ta përshkruanit ju rolin e Gjermanisë në këto vite në Ballkan?

Unë jam shumë shpesh në terren. Dhe aty dëgjoj gjithnjë se Gjermania duhet të bëjë këtë e atë. Së pari, Gjermania është vetëm një vend. Shumëkush vjen në Berlin dhe mendon se po tha Berlini “po” çdo gjë është në rregull. Por nuk është ashtu. Duhet të përfshijmë edhe vende të tjera si Francën, dhe nganjëherë edhe Britaninë e Madhe, Italinë, Poloninë dhe duhet të bëjmë të qartë se çfarë duam të bëjmë.
Gjermania ka bërë shumë dhe gëzon një besim të madh në Ballkanin Perëndimor.

Por Gjermania nuk mund t’i përballojë vetë të gjitha. Nëse ka diçka për të bërë, është mbështetja e shoqërisë civile. Jo në formë projektesh sa për të eksperimentuar, por projekte prej nga me të vërtetë dalin edhe kërkesa politike.

Europa duhet të bëjë më shumë presion duke kërkuar zbatimin e 35 kapitujve. Ato duhet të vihen në jetë dhe të mos jenë vetëm në letër. Por për këtë duhet shumë mbështetje, konkretisht në atë formë që të aftësohet shoqëria. Të mos bëhen biseda vetëm me politikanë e udhëheqës. Ata janë legjitimë, sepse janë zgjedhur nga populli, por pyetja është se në cilat rrethana i ka zgjedhur populli. Këto janë të njëjtat rrethana që kemi edhe në Hungari dhe Poloni. Nëse nuk duam të kemi rrethana hungareze dhe polake në Ballkan, atëherë duhet të përdorim në Ballkan një energji tjetër.

DW: Ju ishit në verë vetë në rajon, ndër të tjera, edhe në Kosovë. Si e shikoni situatën e atjeshme?

Unë isha në Kosovë, por si Kosova, si vende të tjera, mund të shoh se njerëzit nuk i kanë punët mirë. Mund të thoni e ka fajin politika. Por duhet thënë edhe se kjo politikë u zgjodh me zgjedhje të fshehta, ndoshta me ca parregullsi, por qeveria është legjitime. Unë këtë e përjetoj në Bosnjë-Hercegovinë, në Serbi e gjetkë. Kur opozitarët kritikojnë politikanët, unë i pyes shpesh se cila është alternativa. Dhe kjo nuk mund të jetë që në zgjedhje të ngrihen gjithmonë temat emocionale, si nacionalizmi. Nacionalizmi është kanceri i Ballkanit. Këtë e dimë, dhe as Kosova nuk bën përjashtim.

Po të dalim në rrugë e të pyesim njerëzit në Serbi se çfarë kërkojnë prej qeverisë, cilin vend do të zinte statusi i Kosovës, në krahasim me punën, shtëndetin, arsimin, banimin, etj? Ndoshta të dhjetin ose asnjë. Dhe të pyesim në Prishtinë të njëtjën pyetje, çfarë do të thoshin ata? Serbia do të vinte në vend të fundit. Dhe këtë pyetje mund ta bëjmë kudo. Pra, në media ne gjithmonë kemi të bëjmë me konflikte, me emocione, kurse me temat që kanë të bëjnë me njerëzit nuk merret askush.

Ne kemi procesin e katërt të Berlinit, asgjë nuk ka ndodhur ca projekte, ca memomardume mirëkuptimi, por në të vërtetë, asgjë. Dhe ne e dimë shumë mirë se Ballkani nuk ka asnjë shans, nëse njerëzit nuk hapin kufijtë, nuk heqin doganat dhe nëse ky territor nuk funksionon siç funksionon Bashkimi Europian.
Të gjithë duan të hyjnë në BE dhe për këtë nuk vendos as Thaçi e as Vuçiq, por secili. Dhe çdokush që mendon se është patriot, duhet të pyesë së pari se çfarë paritozmi është ky kur ati është krenar për të birin që ka emigruar jashtë shtetit? Ky konflikt duhet të kalojë njëherë nëpër familje. Biri duhet të pyesë atin: çfarë ke bërë, përse nuk ke bërë qëndresë kur na shtynë të armiqësohemi me njëri-tjetrin? Pikërisht ashtu siç u kanë kërkukar llogari për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore bijtë etërve në vitin 1968.

DW: Edhe në Kosovë?

Kosova e shikon veten si viktimë të historisë. Kosova nuk është viktimë e historisë. Kosova është në radhë të parë viktimë e një shoqërie që nuk ka më kurajë, që është dorëzuar dhe që shërimin e shikon gjithmonë jashtë shtetit, që gjithmonë të vijë dikush e ta shpëtojë. Dhe vetë nuk është e gatshme të shikojë në mënyrë vetëkritike se ku i ka problemet. Unë isha në Kosovë. Shtatë orë prita në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Por kështu është edhe mes Serbisë dhe Kroacisë. Kështu e donin. Donin shtet, donin kufij dhe donin të prisnin shtatë orë në kufij për të kaluar nga një vend në tjetrin. Ky është realiteti.

DW: Meqenëse ju vetë kritikoni politikat që nuk merren me problemet e njerëzve: një problem që kanë aktualisht qytetarët e Kosovës, është regjimi i vizave.

Unë jam për liberalizimin e vizave. Unë jam për barazi. Unë dua që popullsia e Kosovës të ketë të njëjtën të drejtë si të gjitha vendet fqinje. Por ky liberalizim i vizave nuk është zgjidhja e problemeve aktuale.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme