Thaçi nga Washingtoni, flet se çka nënkupton Korrigjimi i Kufirit

Korrigjimi i Kufirit nuk nënkupton ‘Shkëmbim Territoresh’ apo ‘Zhvendosje të popullatës’. Por njohje e Kosovës nga Serbia me një kufi që nuk do të ndahet në baza etnike, ka thënë Thaçi në Washington, përcjellë gazetametro.net

“Do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia. Kosova do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe do të forcojë perspektivën evropiane për të dyja vendet dhe tërë rajonin”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “BE na ka bërë të qartë në Samitin e Sofjes se nuk do ta pranojë Ballkanin Perëndimor, përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i mbyllin çështjet e hapura që kanë mes tyre”, ka thënë Thaçi.

Por, nga marrëveshja paqësore, shtoi Presidenti Thaçi, përfitojnë edhe Bashkimi Europian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Procesin do të vazhdojë ta udhëheq BE, por me mbështetje të plotë e të fuqishme të Shteteve të Bashkuara”, sqaroi presidenti Thaçi. “Është krijuar një momentum i duhur për një marrëveshje paqësore. Ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, ftoi presidenti Thaçi në fjalën e tij në “Atlantic Council”, në Washington.

Presidenti Thaçi, më pas u është përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve të cilët kërkuan të dëgjonin më shumë për çështjen e kufirit në mes të Kosovës e Serbisë, por edhe për tensionet e fundit në mes të dy vendeve.

Thaçi përsëriti se çështja e kufirit do të jetë vetëm një nga pikat e marrëveshjes dhe shtoi se “nuk do të ketë as shkëmbim të territoreve dhe as ndarje të Kosovës”.

“Korigjimi i Kufirit apo Marrëveshja me Serbinë nuk do të ketë as kufi përgjatë vijave etnike dhe as shkëmbim të popullatës”, ka përfunduar Thaçi, për idenë që njhet si Marrëveshje Ligjërisht e Obligueshme me Serbinë.

Ndërsa, duke folur për tensionet në mes dy vendeve, presidenti Thaçi u shpreh se këto tensione e konfirmojnë edhe njëherë nevojën që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje paqësore dhe t’i jepet fund “konfliktit shekullor në mes Kosovës e Serbisë”.

“Të mos merremi me të kaluarën, por të shikojmë kah e ardhmja. Nuk do ta harrojmë të kaluarën, por do të punojmë për një të ardhme në paqe e prosperitet për gjeneratat e reja”, përfundoi Thaçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme