Thaçi: Nuk frikësohem nga Gjykata Speciale, jam krenar që isha pjesë e UÇK’së

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka thënë se nuk ka frikë nga Gjykata Speciale dhe se është krenar që ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).


Thaçi duke folur për gazetën britanike The Independent ka thënë se ai nuk frikësohet nga Gjykata Speciale që është themeluar në vitin 2007 për hetime për krimet e luftës në Kosovë.

Ai tha se ndjehet krenar që ishte pjesë e UÇK’së, madje ai porositi të gjithë ish-luftëtarët e UÇK’së që po ftohen nga Specialja se do të dalin fitimtarë përball saj.

“Si gjithmonë, nuk do të ikim, nuk do të turpërohemi, do të përballemi dhe unë jam i bindur se do ta kapërcejmë me dinjitet dhe integritet. Unë personalisht jam shumë krenar që isha një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Thaçi, transmeton Gazeta Metro.

Po ashtu presidenti i vendit ka thënë se gjithmonë ka pasur zëra duke u përpjekur ta denigrojnë shtetin e Kosovës dhe ta njollosin atë, mirëpo Thaçi tha se nuk do të lejojnë që historia të rishkruhet.

“Gjithmonë do të ketë zëra që përpiqen të denigrojnë Kosovën ose të akuzojnë Kosovën, të njollosin Kosovën dhe mua personalisht. Por kjo nuk do të thotë se unë kam ndonjë hezitim në atë që është rruga jonë përpara dhe si duhet të vazhdojmë përpara. Unë besoj në drejtësi. Ajo që nuk duhet të lejojmë të ndodhë është që historia të rishkruhet” ka thënë Thaçi.

Lini Një Koment