Thaçi thotë se ka gjetur mirëkuptim me Putinin për një marrëveshje të detyrueshme

Në sallat mondane të Parisit, aty ku këto ditë u mblodhën liderë shtetërorë nga mbarë bota, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur të takojë disa prej tyre, qoftë edhe sa për përshëndetje.

Ndër të tjerë, për herë të parë presidenti i Kosovës ka takuar presidentin e Federatës ruse, Valdimir Putin.

Thaçi, në rrjetin social Twitter, ka thënë se me Putinin ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi, me të cilin ka gjetur mirëkuptim.

“Me presidentin rus, Putin, u përqendruam rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë, Putini ishte i qartë. ‘Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë’”, ka shkruar Thaçi.

Por, në këtë deklaratë të shkurtër, Thaçi nuk tregon se çka do të përmbajë kjo marrëveshje e detyrueshme, gjithëpërfshirëse.

Më herët, gjatë ditës, Thaçi shkroi se kundërshtarët e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e duan paqen e Ballkanit.

“Kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shembë standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme”, ka thënë Thaçi.

Gjatë ditës së diel, Hashim Thaçi njoftoi se e takoi edhe presidentin amerikan Donald Trump, nga i cili tha se mori mbështetje 100% për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, bazuar në burime të ndryshme të diplomacisë evropiane në Kosovë, shtetet e fuqishme të Evropës nuk po e mbështesin Thaçin në idenë e tij për marrëveshjen finale me Serbinë, konkretisht këmbimin e territoreve.

Në një konferencë të mbajtur në Minsk të Bjellorusisë, në fund të tetorit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, janë ankuar se “qëndrimi negativ” i Berlinit zyrtar po e pengon marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Krahas Berlinit, edhe disa qendra të tjera evropiane nuk janë në favor të prekjes së kufijve, përfshirë Britaninë e Madhe.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme