“The Load” për krimet ndaj shqiptarëve më 1999 udhëton në ShBA

 Filmi “The Load” i regjisorit serb Ognjen Glavoniq – i cili ani pse në mënyrë indirekte, sjell rrëfimin për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë më 1999 – do të jepet premierë amerikane.

Janë dy qendra prestigjioze të artit që do ta shfaqin atë. Bëhet fjalë për Muzeun e Artit Modern (MoMA) dhe “Lincoln Center” në New York. Filmi debutues i Glavoniqit, i cili deri më tash është shfaqur në rreth 50 festivale, për publikun amerikan shfaqet në “New Directors/New Films”. Sivjet mbahet edicioni i 48-të i këtij festivali organizuar nga “MoMa” dhe “Lincoln Center”, i cili u dedikohet veprave të kineastëve të rinj nga e gjithë bota.

“Filmi i Glavoniqit është i vetmi përfaqësues nga Serbia”, citojnë mediat serbe njoftimin e Qendrës Kinematografike të Serbisë e cila, ndër të tjerë, e ka financuar filmin.

“New Directors/New Films” mbahet prej 27 marsit deri më 7 prill. Në edicionin e sivjetmë në program janë 24 filma të gjatë artistik dhe 11 filma të shkurtër.

Filmin “The Load” (Ngarkesa) publiku në Kosovë ka pasur rast ta shohë muajin e kaluar. Ai u shfaq premierë kosovare më 24 janar në “DokuKino” në Prizren. Siç kishte raportuar gazeta, filmdashësit prizrenas kishin treguar interesim të konsiderueshëm për këtë film, një realizim artistik ku ngjarjet zhvillohen në relacionin Kosovë-Serbi në vitin 1999, gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër regjimit të Milosheviqit. Në mesin e shikuesve kishte qenë edhe Gramoz Berisha, njëri nga të mbijetuarit e masakrës së forcave serbe ndaj Berishëve të Suharekës që kishte thënë se “Ngarkesa” ia ka kthyer kujtimet e tmerrshme të dy dekadave më parë. Si fëmijë ai bashkë me nënën e tij Vjollcën – e cila po ashtu kishte qenë e pranishme në premierë – do të kërcenin nga kamioni, ku bashkë me trupat e familjarëve të tjerë ushtria dhe policia serbe po i dërgonin në varrezë masive.

Personazhi kryesor i filmit, Vlada (Leon Luçev), është ngasësi i kamionit, i cili arrin në një depo të rrënuar në Kosovën e shkatërruar nga lufta, për të transportuar ngarkesën misterioze për në Beograd.

Tashmë opinioni në Kosovë, Serbi dhe më gjerë është njoftuar me raportimet se si në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, regjimi i Milosheviqit kishte zbatuar urdhrin e fshehjes së gjurmëve të krimeve të kryera në Kosovë nga forcat policore dhe ushtarake. Për këtë arsye ishte realizuar projekti i bartjes së kufomave të viktimave të vrara në Kosovë në drejtim të Serbisë përmes kamionëve, që kryesisht ishin varrosur në varreza masive brenda kazermës speciale të policisë serbe në Batajnicë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme