Thehet tabuja, rriten kërkesat për statusin e viktimave të dhunës seksuale. Nga shkurti procesohen dosjet!

Nëntorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që janari i vitit 2018 do të jetë afati kur viktimat e dhunës seksuale do t’i marrin pensionet.

Por, edhe pse kanë kaluar disa ditë të këtij muaji viktimat e dhunës seksuale ende nuk kanë filluar të marrin pensionin. Një komision që ka për detyrë të merret me dosjet e tyre nuk e ka bërë këtë për arsye banale – është vonuar përcaktimi i hapësirës adekuate, ku do të shqyrtoheshin dokumentacionet dhe do të intervistoheshin personat.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se procesi nuk ka filluar për shkak se deri sot nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Administratës Publike, lidhur me lokacionin se ku do të shqyrtoheshin dosjet.

“Ka kohë që kemi dërguar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike për caktimin e një hapësire ku do të punonte komisioni. Dhe sot ditë e premte kam marrë konfirmim nga komisioni se kjo hapësirë është siguruar.”- ka thënë Rushiti.

Gazeta Express ka kontaktuar me divizionin për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Administratës publike, ku Zeqir Bekolli ka thënë se pas kërkesës që është shtuar nga Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, është caktuar lokacioni.

Vendi ku do të shqyrtohen dosjet për caktimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, do të jetë te zyrat e Avokatit të Popullit.

E pasi që komisioni fillon punë së shpejti, sipas Rushitit pas lajmit që Qeveria ka marrë vendim që të ndahet një shumë për kategori, në organizatat që merren me këto cështje ka filluar të rritet numri i rasteve.

“Numri i viktimave seksuale gjatë luftës së fundit mund të rritet pasi që në disa organizata ka rritje të rasteve të cilat kanë kërkuar që të bëhen pjesë e kësaj skeme. Gratë, vajzat dhe burrat që kanë përjetuar dhunën e tmerrshme seksuale dhe që kanë heshtur, tash kanë filluar të kenë besim në institucione dhe për këtë gjë mendojmë se është rritur edhe numri i personave që kanë përjetuar atë akt”, ka thënë mes tjerash Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës.

Më tej ajo thotë, se rastet e reja nuk janë duke u regjistruar vetëm nga Kosova por kërkesa për të fituar statusin e dhunës seksuale, kanë ardhur edhe nga kosovarët që jetojnë në Suedi e Kanada duke treguar, se këto raste janë në proces të verifikimit së pari nga organizatat dhe pastaj kalojnë në komision.

Ndërsa para nëntorit të vitit 2017, Organizatat të cilat merren me rastet e personave të dhunuar gjatë luftës, kishin dërguar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale listën me numrin e përgjithshëm të viktimave të dhunës seksuale, e që ishin 1200 persona.

Shuma e tërësishme që Qeveria do të ndajë për pensionet e viktimave, në vitin 2018, do të jetë një milion euro, ndërsa për vitet 2019-2021 do të ndahen nga 800 mijë euro. / GazetaExpress

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme