Thembra e Akilit me Greqinë qëndron Çështja Çame

Nga Arben Llalla

Prej më shumë se 70 vite Çështja Çame është kthyer në ankth për grekët si një nga temat barrierë në marrëdhëniet greko-shqiptare.

Vijat e kuqe midis dy vendeve nuk janë vetëm çështja e pakicës greke që gëzon çdo të drejtë njerëzore e fetare, as çështja e pronave apo Ligji i Luftës i njëanshëm, por Çështja Çame. Akuza e Greqisë se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë bazohen në fakte të paqarta, pa asnjë dëshmi shkencore, por vetëm me akuza politike. Akuza politike është metodë për t’ju mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.
Që çamët kanë qenë të rreshtuar në batalionet partizane greke EAM-ELAS dhe ato të Shqipërisë është e vërtetuar nga arkivat greke, shqiptare, bullgare dhe ish-jugosllave, sepse shumë çamë luftuar deri në Bosnjë-Hercegovinë kundër hordhisë naziste.

Çamët nuk ishin shtetas të Shqipërisë, por shtetas të Greqisë me status pakicë kombëtare shqiptare, ndaj përzënia e tyre me përdhunë nga trojet etnike quhet gjenocid, spastrim etnik i territorit.

Prandaj, Shqipëria duhet ta ngrejë Çështjen Çame me këmbëngulje deri në padi penale në Hagë, për një zgjidhje paqësore e të drejtë. Çështja Çame nuk është e nivelit dypalësh, por e nivelit ndërkombëtare, pasi kemi të bëjmë me shkeljet e të drejtave njerëzore e fetare të Konventave Ndërkombëtare, të Marrëveshjes së Lozanës 1923-1924.

Shqipëria nuk duhet të pranojë kushtet e Greqisë të tipit: “Mos e zini Çështjen Çame në gojë se nuk ekziston” apo “fshiheni emrin Çam e Çamëri”. Me këto kushte nuk shkojmë në zgjidhjen e problemeve, por në acarimin e tyre, sepse përderisa ekzistojnë çamët ekziston edhe Çështja Çame, e cila është çështje historike, e të drejtave të njeriut, por edhe çështje politike. Duke e ngritur Çështjen Çame në nivelet ndërkombëtare e në Hagë, ku palët do parashtrojnë faktet dhe çështja të marrë zgjidhje përfundimtare të drejtë, atëherë do të ishte më lehtë heqja e Ligjit të Luftës dhe dy vendet fqinje mund të rrisin klimën e mirëbesimit, të fqinjësisë së mirë.

Diplomacia shqiptare përballë Greqisë nuk duhet të kënaqet e të synojë njohjen e patentave, vulën apostille, por maja e bisedimeve duhet të jetë Çështja Çame dhe heqja e Ligjit të Luftës. Nuk ka si të ngrihet morali dhe krenaria kombëtare, kur Greqia të njeh patentat apo vulën Apostille, të cilat tek e fundit mbeten vogëlsira.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme