Thyhen bastionet e partive

6 tetori përfundimisht theu bastionet e partive.

Rezultatet u përmbysën në Gjilan, në Ferizaj, në Kaçanik, në Vushtrri e në Mitrovicë. Ndërkohë, rezultate të afërta mes partive u përmbyllën në Gjakovë, në Podujevë, në Viti e në Fushë Kosovë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Zgjedhjet e 6 tetorit përveç ndryshimeve të përgjithshme sollën lëkundje të papritura edhe në bastionet e partive.

Komunat, që dikur llogariteshin vatra të votave për PDK-në, LDK-në e AAK-në, përfundimisht janë thyer nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo e fundit ngritjen më të madhe e bëri në Gjilan, me gati 18 mijë vota të grumbulluara, qytet ky që për kohë të gjatë ka qenë burim i votave të LDK-së.

Ndryshime të mëdha në favor të Vetëvendosjes pati edhe në Ferizaj, në Gjakovë, në Fushë Kosovë, në Podujevë, në Kamenicë e në Viti, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Ndërkohë PDK-ja, ani pse mbajti Drenicën (që këtë herë ka shumë më pak vota se në zgjedhjet e kaluara) dhe fitoi Mitrovicën me një rezultat të ngushtë me LVV-në, lëshoi nga duart Kaçanikun, që për vite me radhë u konsiderua bastion i saj.

Vetëvendosja rrëmbeu këtë komunë me 34,25%, duke lënë pas PDK-në me 32,30%. Njohësit e çështjeve politike për “Zërin” thonë se këto rezultatet erdhën si rrjedhojë e dëshirës së qytetarëve për ndryshim pa dallim komune.

Lini Një Koment